Presidenti Krasniqi priti drejtuesit e IESF dhe EEF

Presidenti Ismet Krasniqi ka pritur sot udhëheqësit e sporteve elektronike (E-Sports), sekretarin e përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të E-Sports (IESF), Boban Totovski dhe drejtuesit e Federatës Evropiane të E-Sports (EEF), presidentin Karol Cagan dhe sekretarin e përgjithshëm, Lukasz Klimczyk, të cilët shoqëroheshin nga udhëheqësit e Federatës së E-Sports të Kosovës, me në krye kryetarin Altin Preniqi.


Vizita e tyre në Kosovë lidhet me organizimin e Kampionatit Evropian të E-Sports, që do të mbahet në Prishtinë nga 9 deri më 13 korrik 2025.


Të gjitha palët shprehën vullnetin dhe përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin, me qëllim që Kosova të shndërrohet në një shembull të organizimit për këtë ngjarje madhore sportive në nivel evropian.


E-Sports ka një audiencë të gjerë në mbarë botën dhe falë këtij kampionati, sportet elektronike pritet të marrin edhe më shumë hov në Kosovë.