Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, nën drejtimin e presidentit, Ismet Krasniqi, ka mbajtur mbledhjen e 25-të, në të cilën u shqyrtuan pika të ndryshme të rendit të ditës.
Pas një kohe të gjatë, për herë të parë fizikisht në mbledhje ishte edhe anëtarja, Shqipe Bajçinca Brestovci, e cila ndodhej jashtë vendit për shkaqe shëndetësore.
Më poshtë mund të gjeni vendimet e marrë:
– U diskutua për kandidaturën e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, kandidaturë kjo që u vlerësua lartë nga Bordi Ekzekutiv. U diskutua për proceset e mëtutjshme të aplikimit.
– U diskutua për Lojërat Evropiane Krakow dhe Malopolska 2023, të cilat mbahen prej 21 qershor deri më 2 korrik 2023. Shefi i misionit, Jeton Rudari, raportoi në detaje pas seminarit të mbajtur në Krakow. U konstatua se ekipi ynë do të përbëhet nga një numër i madh sportistësh, përfshirë 20 atletë, shpenzimet e të cilëve do t’i heq Federata Evropiane e Atletikës.
– U diskutua për Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) Maribor 2023, që mbahet prej 23 korrik – 29 korrik 2023. Kosovën pritet ta përfaqësojnë 19 sportistë të sporteve të ndryshme, edhe pse lista zyrtare pritet të publikohet në javët në vijim.
– U diskutua për Lojërat Frankofone Kinshasa 2023, në të cilat përgjegjëse është Ministria për Kulturë, Rini e Sport.
– U diskutua për komisionin e sportit, anëtarët e saj dhe punën e tyre.
– U vendos të zgjerohet lista e bursistëve “Shpresa Olimpike 2023” edhe për tre bursistë.
– U vendos që sportistët të dërgohen në përgatitje për LE Krakow dhe Malopolska 2023, si dhe për EYOF Maribor 2023.
– U shqyrtuan edhe ankesa dhe kërkesa tjera.