Uta Ibrahimi, shqiptarja e parë që ngjitet në top-14 majat e botës

Me vendosmëri të hekurt, me një qëllim të qartë dhe zemër të mbushur me guxim, Uta Ibrahimi ka realizuar një ndër arritjet më të mëdha në botën e alpinizmit: përfundimin me sukses të ngjitjes në 14 majat më të larta të planetit, secila mbi 8000 metra.


Me këtë sukses të jashtëzakonshëm, Uta bëhet gruaja e parë shqiptare dhe personi i parë nga Kosova që e shënon këtë moment historik — duke u renditur në mesin e pak grave në botë që kanë arritur këtë qëllim.


Rrugëtimi i saj nuk ishte aspak i lehtë. Nga stuhitë e rrezikshme, ajri i hollë, terrenet ekstreme, deri te muajt e tërë larg familjes dhe vendit, Uta qëndroi e fortë. Ajo nuk u dorëzua, as kur ishte ftohtë, as kur ishte vetëm, as kur sfidat dukeshin të pakalueshme. Çdo majë e ngjiti me pasion, vizion dhe me flamurin e Kosovës gjithmonë me vete.


Komiteti Olimpik i Kosovës e përgëzon ngrohtësisht Utën për këtë arritje të jashtëzakonshme dhe i uron shëndet e suksese të mëtejshme në çdo hap të jetës së saj.