Roli dhe detyrat e mjekut në raport me dopingun në sport

Shkruan: Bernard Tahirbegolli

Koordinator i KosADA



Sporti, përveç lojës së bukur që na ofron për ta shijuar, na ngjall emocione dhe ndjesi të mira, duke na bërë të ndiejmë përkatësi dhe të jemi më pranë njëri-tjetrit. Megjithatë, pas teknikave të mrekullueshme dhe estetikës së lartë të sportistëve që admirojmë, qëndrojnë orë të tëra përgatitjeje dhe stërvitjeje intensive.

Gjithashtu, organizimi i garave me shumë sportistë dhe sigurimi i një loje të ndershme, pa përdorimin e substancave të ndaluara, është një sfidë më vete që kërkon përkushtim dhe angazhim të madh.

Mjeku i sportit është pranë sportistëve jo vetëm për kujdesin shëndetësor kur ata lëndohen apo sëmuren, por edhe për kontrollet sistematike para fillimit të garave, vlerësimin dhe përmirësimin e performancës dhe parandalimin e përdorimit të dopingut. Ndërkohë, mjekët e tjerë kontaktojnë sportistët më rrallë, zakonisht në raste të veçanta mjekësore, duke marrë parasysh që në shumicën e kohës ata gëzojnë shëndet të mirë.

Gjatë trajtimit të gjendjeve të ndryshme shëndetësore te sportistët, mjekët duhet të njohin dhe të kenë parasysh substancat e ndaluara dhe të komunikojnë me sportistin përpara se të vendosin për një terapi farmakologjike të caktuar.

Çdo sportist ka për detyrë personale të sigurojë që asnjë substancë e ndaluar të mos futet në trupin e tij. Ata mbajnë përgjegjësi të plotë për çdo substancë të ndaluar, metabolitët ose markerët që mund të zbulohen në mostrat e tyre, dhe për këtë mund të përballen me pasoja për shkak të shkeljes së rregullave antidoping.

Nëse për trajtimin e një gjendjeje shëndetësore nevojiten preparate farmakologjike, atëherë duhet të përzgjidhen ato që nuk janë të përfshira në listën e substancave të ndaluara. Këto duhet të jenë opsioni i parë i trajtimit. Në rastet kur përdorimi i një substance të ndaluar është i domosdoshëm për trajtimin e një gjendjeje shëndetësore, sportisti duhet të aplikojë për Përjashtimin e Përdorimit Terapeutik (PPT) pranë organizatës antidoping.

Përjashtimi i Përdorimit Terapeutik është një leje që u jepet sportistëve për përdorimin e substancave të ndaluara për arsye mjekësore. Sportistët që garojnë në nivel nacional duhet të aplikojnë për këtë leje pranë KosADA-s, ndërsa ata që marrin pjesë në gara ndërkombëtare duhet të aplikojnë te federata përkatëse ndërkombëtare ose te organizatori i ngjarjeve të mëdha sportive, të paktën 15 ditë para fillimit të garës. Në rastet e gjendjeve akute, kur nuk ka mundësi të pritet për aplikim paraprak, leja mund të kërkohet në mënyrë retroaktive, brenda 15 ditëve nga momenti i marrjes së preparatit farmakologjik.

Bazuar në Kodin Botëror Anti-Doping, Rregullat Kombëtare Anti-Doping dhe Ligjin për Antidopingun (LIGJI NR. 08/L-152), dopingu përkufizohet si ndodhia e një ose më shumë shkeljeve të rregullave antidoping.

Ekzistojnë gjithsej 11 rregulla që duhet të njihen dhe të respektohen jo vetëm nga sportistët, por edhe nga stafi i tyre mbështetës, ekipet mjekësore dhe komuniteti i sportit në përgjithësi.

Rregulli i parë: Ndalohet prania e një substance të ndaluar, metabolitëve të saj ose markerëve të tyre në mostrat e sportistit.

Në pajtim me Standardin Ndërkombëtar për Testime dhe Hetime të Dopingut, mostrat e marra nga sportistët përfshijnë urinën, gjakun venoz dhe gjakun kapilar.

Substancat e ndaluara publikohen në Standardin Ndërkombëtar – Lista e Ndaluar, e cila publikohet nga WADA çdo vit më 30 shtator dhe hyn në fuqi më 1 janar të vitit pasues. Ky dokument përcakton në detaje substancat dhe metodat që janë të ndaluara për përdorim nga sportistët, si gjatë periudhës së garave ashtu edhe jashtë tyre.


Lista e Ndaluar ndahet në disa kategori kryesore, bazuar në natyrën e substancave dhe metodave të ndaluara si më poshtë:

Substancat e ndaluara gjatë gjithë kohës (në gara dhe jashtë garave)

S0. Substancat e paaprovuara: Substanca eksperimentale ose ato që nuk kanë një përdorim të aprovuar mjekësor.


S1. Agjentët anabolikë:

  • S1.1. Steroidet anabolike androgjenike: 1-Androstenediol, 1-Androstenedion, 1-Androsteron, 1-Epiandrosteron, 1-Testosteron, 4-Androstenediol, 4-Hidroksitestosteron, Epiandrosteron, Epi-dihidrotestosteron, Epitestosteron, Etilestrenol, Stanozolol, Stenobolon, Testosteron, etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).


S2. Hormonet peptide, faktorët e rritjes, substancat e lidhura dhe mimetikët

  • S2.1. Eritropoetinat (EPO) dhe agjentët që ndikojnë në eritropoiezë: Agonistët e receptorëve të eritropoetinës, p.sh. darbepoetina (dEPO), eritropoetina (EPO), konstruktet e bazuara në EPO (p.sh. EPO-Fc, metoksi polietilen glikol-epoetin beta (CERA)), agjentët mimetikë të EPO-së dhe konstruktet e tyre (p.sh. CNTO-530, peginesatide), etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).
    • S2.2. Hormonet peptide dhe faktorët lirues të tyre: Gonadotropina korionike (CG), Hormoni luteinizues (LH), Hormoni çlirues i gonadotropinës (GnRH) dhe analogët e tij agonistë, etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).
    • S2.3. Faktorët e rritjes dhe modulatorët e faktorëve të rritjes: Faktorët e rritjes fibroblastike (FGFs), Faktori i rritjes së hepatociteve (HGF), Faktori i rritjes i ngjashëm me insulinën 1 (IGF-1, mecasermin) dhe analogët e tij, etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).


S3. Beta-2 agonistët: Arformoterol, Fenoterol, Formoterol, Higenaminë, Indakaterol, Levosalbutamol, etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).


Përjashtime nga ndalimi i përdorimit përbëjnë:

  • Salbutamol (inhalator): Maksimumi 1600 mikrogramë/24 orë në doza të ndara, por jo më shumë se 600 mikrogramë/8 orë nga çdo dozë.
  • Formoterol (inhalator): Doza maksimale e lejuar është 54 mikrogramë/24 orë, me kusht që të mos tejkalojë 36 mikrogramë/12 orë nga çdo dozë.
  • Salmeterol (inhalator): Maksimumi 200 mikrogramë/24 orë.
  • Vilanterol (inhalator): Maksimumi 25 mikrogramë/24 orë.


S4. Modulatorët hormonalë dhe metabolikë

  • S4.1. Inhibitorët e aromatazës: 2-Androstenol, 2-Androstenon, 3-Androstenol, Aminoglutetimidi, Anastrozoli, etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).
    • S4.2. Substancat anti-estrogjenike: Bazedoksifene, Klomifene, Ciklofenil, Elacestrant, Fulvestrant, etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).
    • S4.3. Agjentët që parandalojnë aktivizimin e receptorit IIB të aktivinës: Antitrupa neutralizues të aktivinës A, receptorë konkurrues të aktivinës IIB si ACE-031, etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).
    • S4.4. Modulatorët metabolikë: Aktivizues të kinazës së proteinave AMP (AMPK), p.sh. AICAR, MOTS-c, insulina dhe substancat që imitojnë veprimin e saj (p.sh. S519, S597), Meldonium, Trimetazidina, etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).

S5. Diuretikët dhe agjentët maskues: Acetazolamid, Amilorid, Bumetanid, Kanrenon, Klorotalidon, Acidi etakrinik, Furosemid, Indapamid, Metolazon, Spironolakton, Tiazide (p.sh. bendroflumetiazid, klorotiazid, hidroklorotiazid), Torasemid, Triamteren, Xipamid, etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).


Përjashtime nga ndalimi

  • Drospirenon, Pamabrom dhe administrimi topikor oftalmik i frenuesve të anhidrazës karbonike (p.sh. dorzolamid, brinzolamid).
  • Administrimi lokal i felypresinës në anestezinë dentare.


Metodat e Ndaluara

M1. Manipulimi me Gjak dhe Komponentet e Gjakut

Administrimi ose rifutja e çdo sasie gjaku autolog, alogjen (homolog) ose heterolog, ose produkte të qelizave të kuqe të gjakut të çfarëdo origjine në sistemin e qarkullimit të gjakut.

Përjashtim:
Dhurimi i gjakut ose i përbërësve të gjakut, duke përfshirë edhe aferezën, nuk ndalohet kur kryhet në një qendër grumbullimi të akredituar nga autoriteti rregullator përkatës i vendit ku operon, në rastin tone në Qendrat e Transfuzionit të Gjakut.


M2. Manipulimi Kimik dhe Fizik

Infuzione intravenoze dhe/ose injeksione prej më shumë se 100 ml në total për 12 orë, përveç atyre të marra në mënyrë legjitime gjatë trajtimeve spitalore, procedurave kirurgjikale ose diagnostikuese.


M3. Dopingu me gjene dhe qeliza

Përdorimi i acideve nukleike ose analogëve të acidit nukleik që mund të ndryshojnë sekuencat e gjenomit dhe/ose shprehjen e gjeneve me çdo mekanizëm. Kjo përfshin, por nuk kufizohet në modifikimin e gjeneve, heshtjen e gjeneve dhe teknologjitë e transferimit të gjeneve.


Substancat e Ndaluara Gjatë Garave

S6. Stimulantët

  • S6.A: Stimulantët jo specifikë: Adrafinil, Amfepramonë, Amfetaminë, Amfetaminil, Amifenazol, Benfluoreks, Benzilpiperazinë, etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).
  • S6.B: Stimulantët specifikë: 2-Fenilpropan-1-aminë, 3-Metilheksan-2-aminë, 4-Fluorometilfenidatë, 4-Metilheksan-2-aminë, 4-Metilpentan-2-aminë, etj (Shih Listën e Ndaluar për të gjitha substancat).

Përjashtime:

  • Klonidina, Guanfacina
  • Derivatet e imidazolinës për përdorim dermatologjik, nazal, oftalmologjik ose otik (p.sh. Brimonidinë, Klonazolinë, Fenoksazolinë, Indanazolinë, Nafazolinë, Oksimetazolinë, Tetryzolinë, Tramazolinë, Xilometazolinë)
  • Stimulantët e përfshirë në Programin e Monitorimit 2025


S7. Narkotikët

  • Buprenorfinë, Deksromoramidë, Diamorfinë (heroinë), Fentanil dhe derivatet e tij, Hidromorfonë, Metadonë, Morfinë, Nikomorfinë, Oksikodonë, Oksimorfonë, Pentazocinë, Petidinë, Tramadol.


S8. Kanabinoidet

Të gjithë kanabinoidet natyrorë dhe sintetikë janë të ndaluar.


S9. Glukokortikoidet

Të gjitha glukokortikoidet janë të ndaluara kur administrohen me ndonjë rrugë injektuese, orale (përfshirë oromukozën (p.sh. bukale, gingivale, nëngjuhësore)) ose rektale.

Përjashtim:
Rrugët e tjera të administrimit (përdorimi topikal: dermal, intranazal, oftalmologjik, otik dhe perianal) nuk janë të ndaluara kur përdoren brenda dozave të rekomanduara të prodhuesit dhe indikacioneve terapeutike.


Substancat e Ndaluara në Sporte të Caktuara

P1. Beta-bllokatorët

Beta-bllokatorët janë substanca të ndaluara në sporte specifike gjatë garave, si: Automobilizëm, Biliardo, Pikado, Golf, Mini-Golf.

Ndërsa janë të ndaluara edhe brenda edhe jashtë garave në sportet si: Shigjetaria, Shenjtaria sportive, Sportet nënujore.

Rregulli i dytë: Është e ndaluar përdorimi ose tentativa e përdorimit nga sportisti i një substance ose metode të ndaluar.

Rregulli i tretë: Është e ndaluar shmangia, refuzimi ose mosdhënia e mostrës nga sportisti.

Rregulli i katër: Dështimet në lidhje me vendndodhjen e sportistit.

Rregulli i pestë: Ndalimi i manipulimit ose tentativave të manipulimit me një pjesë të kontrollit të dopingut nga një sportist ose person tjetër.

Rregulli i gjashtë: Zotërimi i një substance të ndaluar ose i një metode të ndaluar nga një sportist ose person mbështetës i sportistit gjatë garës ose jashtë saj përbën shkelje, përveç kur ai/ajo dëshmon se zotërimi është në pajtim me lejen për përjashtimin e përdorimit terapeutik (PPT).

Rregulli i shtatë: Trafikimi ose tentativa e trafikimit të një substance ose metode të ndaluar është e ndaluar.

Rregulli i tetë: Është e ndaluar të bëhet administrimi ose tentativa e administrimit të një substance ose metode të ndaluar tek një sportist gjatë garës ose jashtë saj.

Rregulli i nëntë: Ndihma ose bashkëpunimi me paramendim për të shkelur rregullat anti-doping është gjithashtu një shkelje. Kjo përfshin fshehjen e informacioneve, mbështetjen, lehtësimin ose çdo veprim që synon të inkurajojë një akt të paligjshëm në kontekstin e dopingut.

Rregulli i dhjetë: Marrëdhëniet e ndaluara midis sportistëve dhe personave të pezulluar ose të shpallur të papërshtatshëm janë të ndaluara. Për shembull, një sportist nuk mund të bashkëpunojë me një sportist tjetër, trajner, ose doktor që është i pezulluar ose i shpallur i papërshtatshëm për shkelje të rregullave anti-doping.

Rregulli i njëmbëdhjetë: Çdo veprim që dekurajon ose pengon raportimin e shkeljeve anti-doping, përfshirë kërcënimet, hakmarrjet ose frikësimin, konsiderohet shkelje e këtij rregulli.

Masat disiplinore për shkeljet e rregullave antidoping dhe mosrespektimin e masave të vendosura ndaj tyre nga sportistët apo personat e tjerë, përfshirë edhe mjekët, bazohen në Ligjin për Antidopingun, Kodin Botëror për Anti-Doping dhe Rregullat Kombëtare Anti-Doping. Këto masa përfshijnë skualifikimin e rezultateve sportive, pezullimin e përkohshëm, ndalimin e pjesëmarrjes në gara, pasojat financiare dhe zbulimin publik të shkeljes. Gjithashtu, ekipet në sportet ekipore mund të ndëshkohen në të njëjtën mënyrë në rast të shkeljeve të rregullave antidoping.

Zbatimi i rregullave antidoping është thelbësor për të ruajtur integritetin e sportit, lojen fer dhe shëndetin e sportistëve. Çdo sportist dhe pjesëtar i stafit mbështetës ka përgjegjësinë e tij për të njohur dhe respektuar rregullat, duke kontribuar në një mjedis të ndershëm dhe të sigurt sportiv. Përpjekjet tona të përbashkëta mund të sigurojnë një sport të pastër, të shëndetshëm dhe të drejtë për të gjithë.


LITERATURA

LIGJI PËR ANTI DOPINGUN https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=71817 (e qasur me: 05.03.2025)

RREGULLAT KOMBËTARE ANTI-DOPING https://noc-kosovo.org/agjencia-e-anti-dopingut-per-kosove-kosada/ (e qasur me: 05.03.2025)

The World Anti-Doping Code https://www.wada-ama.org/en/resources/world-anti-doping-code-and-international-standards/world-anti-doping-code#resource-download (e qasur me: 05.03.2025)

The International Standard for Testing and Investigations https://www.wada-ama.org/en/resources/world-anti-doping-code-and-international-standards/international-standard-testing-and#resource-download (e qasur me: 05.03.2025)


Shkrimi është publikuar në revistën Mjeku