Kosova do të përfaqësohet për herë të tretë në Lojërat Olimpike Dimërore, këtë herë në Milano Cortina 2026, të cilat mbahen prej 6 deri më 22 shkurt.
Ekipi olimpik i Kosovës përbëhet nga sportistët e skijimit alpin, Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, përzgjedhësi Agim Pupovci, trajneri i Kianës, Visar Kryeziu dhe shefi i misionit, Jeton Rudari.
Kryeziu do të garojë në tri disiplina: Super sllallom të madh, sllallom të madh dhe sllallom, ndërsa Kokaj në sllallom.
Në konferencën për media, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, duke përgëzuar sportistët për kualifikimin, theksoi se për katër ditë Kosova do të jetë e pranishme në gara, derisa u shpreh optimist në përfaqësim sa më të mirë të Kianës dhe Drinit. Presidenti Krasniqi foli edhe për mbështetjen e KOK-ut me përgatitje dhe bursa, si dhe për përgatitjet e bëra për pjesëmarrje në LOD.
🇽🇰⛷️ The @NOCKOSOVO has presented the Olympic Team that will represent Kosovo at the @milanocortina26
— NOC KOSOVO 🥇🥇🥇🥈🥉 (@NOCKOSOVO) January 28, 2026
Alpine skiers Kiana Kryeziu and Drin Kokaj expressed optimism and confidence ahead of the Games, aiming for the best possible representation of Kosovo on the Olympic stage. pic.twitter.com/H8CRReEgbB
Kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, njëherit nënpresident i KOK-ut, u shpreh falënderues për të gjithë ata që kanë mbështetur sportistët me përgatitje jashtë vendit, gjë që sipas tij ka ndikuar në përgatitjen më të mirë ndonjëherë të skitarëve, përkundër se kushtet në Kosovë nuk ekzistojnë fare për përgatitje.
Si Krasniqi, ashtu edhe Kelmendi kërkuan nga Qeveria e Kosovës të investojë në qendrën skitare në Brezovicë, në mënyrë që sportistët tanë të kenë kushte për stërvitje edhe në Kosovë.
Krenar që do ta përfaqësojnë Kosovën dhe optimist për paraqitjes sa më të mrië u shprehën edhe Kiana dhe Drini, të cilët rrëfyen edhe sfidat e rrugëtimit disa vjeçar për të siguruar pikët e FIS-it.
Për Kryeziun do të jetë pjesëmarrja e dytë në LOD pas debutimit në Pekini 2022, ndërsa për Kokajn pjesëmarrja e parë.
Për përfaqësim dinjitoz u shprehën optimist edhe përzgjedhësi Agim Pupovci dhe trajneri i Kianës, Visar Kryeziu.







