Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka prezantuar ekipin olimpik që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike për të Rinj, të cilat do të mbahen në Dakar të Senegalit, prej 30 tetor deri më 13 nëntor 2026.
Presidenti Ismet Krasniqi, ka shprehur pritshmëritë për paraqitje sa më të mira të sportistëve kosovarë, me shpresën se Kosova do të arrijë edhe te medaljet.
Ekipi ynë do të marrë pjesë për herë të dytë në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj, pas debutimit në Buenos Aires të Argjentinës, në vitin 2018, ku xhudistja Erza Muminoviq fitoi medaljen e bronztë.
Në Dakar 2026, Kosovën do ta përfaqësojnë tre sportiste në tri sporte të ndryshme: Arba Hasanaj (xhudo), Shega Sejdiu (taekwondo) dhe Erisë Avdullahu (atletikë). Të tria kanë siguruar kuotën minimale të kualifikimit për pjesëmarrje në këto Lojëra.
Hasnaj dhe Sejdiu, u shprehën optimiste për paraqitje sa më të mirë, sikurse edhe trajnerët e tyre, Fatos Tabaku (xhudo) e Valmir Fetiu (taekwondo).
Në prezantim mungoi Erisë Avdullahu, e cila ndodhet në Gjermani dhe ekipit i bashkohet në Senegal.
Bashkë me ekipin udhëton edhe shefi i misionit, Jeton Rudari.
Në Lojërat Olimpike për të Rinj Dakar 2026 do të marrin pjesë rreth 2,700 sportistë të moshës 15–17-vjeçare, të cilët do të garojnë në 25 sporte të ndryshme.
