+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

KOK pranon çmimin nga RCF për projektin 497 mijë euro për laboratorin e performancës sportive


Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) është shpërblyer sot me grant nga “Regional Challenge Fund” (RCF), për një projekt në vlerë rreth 497 mijë euro, të fituar muaj më parë në partneritet me federatat e volejbollit, karatesë, ragbit dhe hendbollit.


Në ceremoninë e katërt të ndarjes së granteve për Kosovën, të mbajtur në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë, çmimin në emër të KOK-ut e pranoi Fitim Arifi, drejtor i Akademisë Olimpike të Kosovës, njëherit udhëheqës i projektit.


Të pranishëm në ceremoni ishin edhe Bahri Gjinovci, anëtar i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut dhe kryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës, si dhe drejtuesit e Federatës së Ragbit të Kosovës, Marc Barret dhe Evzi Hani.


Projekti, i siguruar përmes programit të edukimit të Akademisë Olimpike të Kosovës, synon pajisjen e një laboratori modern për testimin, analizimin dhe përmirësimin e performancës së sportistëve.


Laboratori do të mbështesë edhe edukimin e kuadrove në kuadër të programit “Trajner Sportiv”, duke lidhur njohuritë teorike me punën praktike dhe metodat bashkëkohore të vlerësimit të performancës, në bashkëpunim me federatat partnere.


Ky investim shënon një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe shkencore në sportin kosovar, duke krijuar kushte më të mira për përgatitjen e trajnerëve dhe sportistëve.