Presidenti i EOC-ut, Spyros Capralos, u prit nga kryeministri Kurti dhe ministri Çeku

Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), Spyros Capralos dhe sekretari i përgjithshëm, Raffaelo Pagnozi, janë pritur nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrulla Çeku.


Capralos shoqërohej nga drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi e sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, si dhe drejtuesit e KOKSh-it, presidenti Fidel Ylli e sekretari i përgjithshëm, Gerti Shima.


Kryeministri Kurti, që shoqërohej nga ministri i Financave, Hekuran Murati dhe zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, foli për kandidaturën e fituar të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, investimet që do të bëhen në infrastrukturën sportive, si dhe përkushtimin që ka Qeveria për zhvillimin e sportit, duke shtuar se pikërisht Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport i kanë ndarë buxhetin më të madh për vitin e ardhshëm.


Kryeministri u ndal edhe tek sukseset e sportistëve tanë, konkretisht ato të xhudos, si dhe Kampionatin Evropian të Hapur, të organizuar në Prishtinë, duke paralajmëruar edhe ngjarje tjera madhore në vendin tonë, ndërsa përmendi edhe sfidën moslejimit të sportistëve tanë në gara ndërkombëtare tek shtetet që e përziejnë politikën me sportin.


Edhe ministri Çeku foli për sukseset e vendit tonë në sport, organizimet ndërkombëtare që po bëhen në vendin tonë dhe përkushtimin që ka MKRS në mbështetjen e lëvizjes olimpike në Kosovë dhe sportit në përgjithësi, si dhe projektin e MKRS për përfshirjen e sporteve të caktuara në shkolla.



Presidenti Capralos veçoi të arriturat e sportit tonë, me theks të veçantë tri medaljet olimpike të Kosovës dhe progresin që ka bërë KOK-u, në dy tri vitet e fundit, duke thënë se ne jemi storje suksesi edhe për Komitetet Olimpike të shteteve të mëdha. I pari i lëvizjes olimpike të Evropës u shpreh se marrja e organizimit të LM Prishtina 2030 është rast i mirë që shteti të investojë në infrastrukturën sportive.



Presindeti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, falënderoi EOC-un me në krye Capralosin për bashkëpunimin dhe mbështetjen e KOK-ut në projekte të ndryshme, derisa u shpreh mirënjohës edhe për Qeverinë e Kosovës dhe MKRS-në për mbështetjen e fuqishme në fitimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.


I pari i KOKSh-it, Fidel Ylli, theksoi se bashkëpunimi mes dy Komiteteve Olimpike është në nivel të lartë, jo vetëm për organizimin e LM Prishtina 2030, por edhe në projekte të ndryshme të përbashkëta, derisa përgëzoi infrastrukturën ligjore që ka Kosova, derisa kërkoi që shteti të investojë edhe më shumë në infrastrukturë, ashtu siç ka bërë dhe po bënë Shqipëria.


EOC po zhvillon vizitë dy ditëshe në Kosovë, derisa të dielën vizitoi KOK-un.