+383 38 222 223 / [email protected]

Capralos i impresionuar me të arriturat e KOK-ut dhe sportistëve tanë

Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), Spyros Capralos, është ndier i impresionuar me të arriturat e KOK-ut në dy-tri vitet e fundit dhe sukseset e sportistëve tanë.


I pari i lëvizjes olimpike të Evropës, bashkë me presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, dolën në konferencë për media, pas vizitës dy ditëshe të Capralos, i bëri për herë të parë vendit tonë.



Capralos dje vizitoi KOK-un, me ç’rast u prit nga presidenti Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, ndërsa sot u prit nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrulla Çeku.



Ai theksoi se është për t’u lavdëruar mbështetja dhe bashkëpunimi i mirë mes Qeverisë dhe KOK-un, bashkëpunim ky që ka sjell edhe kandidaturën e fituar të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, që është një arritje e madhe e KOK-ut, për çka shprehu vazhdimin e mbështetjes së KOK-ut në projekte të ndryshme.


Capralos foli edhe për medaljet e arta olimpike, një në Rio 2016 dhe dy në Tokyo 2020, të tria këto nga xhudo, për çka shtoi se vendi ynë është në rrugë të mirë që të fitojë medalje edhe në Paris 2024 dhe uroi që kjo të ndodh edhe në sportet e tjera.


Nga ana e tij, presidenti Ismet Krasniqi, shprehu kënaqësinë e mikpritjes së njeriut të parë të sportit në Evropë, që për dy ditë ia bëri Kosovës.


“Presidenti Capralos është i impresionuar me progresin që kemi bërë që prej marrjes së udhëheqjes së KOK-ut, për çka kemi falënderuar EOC-un për mbështetjen financiare në projekte të ndryshme, e po ashtu edhe ato të fituara përmes Bashkimit Evropian”, tha i pari i KOK-ut, duke veçuar edhe përkrahjen e EOC-ut për marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.


Capralos gjatë vizitës në Kosovë shoqërohej edhe nga sekretari i përgjithshëm i EOC-ut, Raffaelo Pagnozzi, si dhe drejtuesit e KOKSh-it, presidenti Fidel Ylli dhe sekretari i përgjithshëm, Gerti Shima.