+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

NORA GJAKOVA – Një karrierë e kurorëzuar me të gjithë titujt

Medalje olimpike – po. Medalje botërore – po. Medalje në Lojërat Evropiane – po. Medalje në Kampionate Evropiane – po. Medalje në Lojërat Mesdhetare – po. Medalje në Masters, Grand Slam, Grand Prix – me bollëk!


Në ditën e fundit të vitit 2025, Nora Gjakova i dha fund një karriere të jashtëzakonshme, duke mbyllur një kapitull të artë si garuese që fitoi medalje në çdo garë të madhe ndërkombëtare ku mori pjesë.


Kulmi i suksesit të saj erdhi më 26 korrik 2021, kur u ngjit në podiumin më të lartë olimpik, duke fituar medaljen e artë në djepin e xhudos, Tokion e Japonisë.



Në nivelin olimpik, Nora mbetet garuesja e vetme nga Kosova që ka përfaqësuar vendin në tri edicione të Lojërave Olimpike, Rio 2016, Tokio 2020 dhe Paris 2024.



Ajo do të mbahet mend edhe për një tjetër moment historik, kur i solli Kosovës medaljen e parë nga një garë e madhe ndërkombëtare pas njohjes së Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, duke fituar të bronztën në Lojërat Evropiane Baku 2015.


Ndër sukseset e saj më të mëdha numërohen edhe medalja e argjendtë botërore në vitin 2021, titulli i kampiones së Evropës në vitin 2018, titulli i kampiones së Lojërave Mesdhetare po ashtu në vitin 2018, si dhe një numër i madh medaljesh në garat Grand Slam, Grand Prix dhe turne të tjera elitare.


“Sfidat, humbjet dhe fitoret do të mbesin vetëm kujtime të paharrueshme për mua, sepse më kanë bërë një nga sportistet më të suksesshme shqiptare dhe, mbi të gjitha, njeriun që jam sot,” u shpreh Nora me rastin e pensionimit, duke falënderuar trajnerin e saj Driton Kuka, Komitetin Olimpik të Kosovës, Federatën e Xhudos së Kosovës dhe të gjithë ata që e mbështetën gjatë 23 vjetëve të karrierës së saj sportive.


Në vitin 2018, Komiteti Olimpik i Kosovës e shpalli “Sportiste e Vitit”, ndërsa për arritjet e jashtëzakonshme, ajo u nderua disa herë edhe me “Çmimin Special”.


Komiteti Olimpik i Kosovës e falënderon Norën për emocionet, krenarinë dhe historinë që i dhuroi sportit dhe shtetit të Kosovës, duke i uruar suksese të mëtejme në rrugëtimin siç tha ajo “drejt ëndrrave të reja”.