MKRS, KOK dhe tetë federata nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për “Super Sportistët”

Ministria për Kulturë, Rini e Sport, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe tetë federata, kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi për programin “Super Sportistët”.


Memorandumi u nënshkrua nga ministri Hajrullah Çeku, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, dhe drejtuesit e tetë federatave të përfshira: Atletika, xhudo, boksi, mundja, taekëondo, noti, skitaria, dhe shenjëtaria sportive.


Në fjalën e tyre, ministri Çeku dhe presidenti Krasniqi vlerësuan lart programin, duke theksuar se kjo mbështetje, por edhe mbështetjet tjera të të dyja institucioneve kanë për qëllim rritjen e performancës së sportistëve.


Në emër të komisionit për performancë të lartë sportive foli trajneri me pesë medalje olimpike, Driton Kuka, si dhe nga MKRS, zëvendësministrja Daulina Osmani, derisa më pas drejtuesit e federatave, trajnerët dhe sportistët e pranishëm, patën mundësinë të diskutojnë për sfidat dhe mënyrat e realizimit të programit.


Në program janë të përfshirë 23 sportistë, ndërsa vlera e mbështetjes së programit për katër vjet është 4 milionë euro.