KOK fiton të drejtën e organizimit të një tjetër ngjarje të rëndësishme

Pas Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, Komiteti Olimpik i Kosovës ka fituar të drejtën për organizimin e një tjetër ngjarje të rëndësishme në vendin tonë. Bëhet fjalë për organizimin e forumit ndërkombëtar për Platformën Sportive Evropiane (European Sport Platform) 2024.


KOK është partner në projektin ERASMUS + “Sporti si vlerë” për “Ngritjen e kapaciteteve në fushën e sportit”, projekt që përfshinë nëntë partnerë nga tetë vende të Evropës. ENGSO është lider i projektit “Sporti si vlerë” dhe në kuadër të projektit, ngjarja madhore përmbyllëse e projektit do të mbahet në Kosovë nën organizmin e KOK-ut.


Vendimi që KOK-u të jetë mikpritës i kësaj ngjarje të rëndësishme është marrë në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të ENGSO-s, anëtar i së cilës KOK është prej vitit 2017.


ENGSO vepron si një organizatë ombrellë e 33 Komiteteve Olimpike Kombëtare dhe Konfederatave Kombëtare të Sporteve përgjegjëse për sportin bazë, që nënkupton se në vendin tonë do të vijnë përfaqësues të 33 shteteve anëtare të kësaj organizate dhe të ftuar të tjerë nga organizatat sportive.


Platforma Sportive Evropiane (ESP) 2023 do të mbahet muajin e ardhshëm në Lisbonë të Portugalisë, ku pjesëmarrës do të jenë edhe përfaqësuesit e KOK-ut, presidenti, Ismet Krasniqi, anëtarja e komisioneve: Barazia përmes sportit dhe komisionit këshillues të Bashkimit Evropian në ENGSO, Rejhan Halili, si dhe Marigona Mehmeti, e cila është e angazhuar në projektin “Sporti si Vlerë”.


Data dhe vendi i mbajtjes së ESP 2024 në Kosovë, do të caktohet më vonë.