KOK dhe “Be Active” organizuan aktivitet për “Fushatën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas”

KOK përmes komisionit “Femra dhe Sporti” dhe në bashkëpunim me projektin “Be Active”, ka organizuar aktivitet në kuadër të “16 ditë të aktivizimit – fushata ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas”.


Aktiviteti këtë herë ishte më relaksues, ku mblodhi vajza dhe gra të federatave të ndryshme sportive dhe jo vetëm, të cilat nën moton “Be a hero” (Bëhu hero), praktikuan vallëzimin “Zumba”, që u udhëhoq nga trajnerja Cansu Merve Bakkal nga Turqia.


Në fjalën hyrëse, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, theksoi se aktiviteti ka për qëllim të frymëzojë vajzat dhe gratë për t’u marrë me aktivitete sportive dhe t’i tejkalojnë paragjykimet se sporti apo sportet e caktuara janë vetëm për meshkujt, duke përmendur edhe sukseset e mëdha, që kryesisht na vijnë nga heroinat tona.



Për rëndësinë e aktiviteteve të tilla dhe të qenit aktiv, foli edhe koordinatori nacional i “Be Active” për Kosovë, Ibër Alaj.


Për aktivitetin e zhvilluar në Hotel Swiss Diamond, por edhe organizimet tjera të realizuara nga komisioni “Femra dhe Sporti”, folën anëtaret e këtij komisioni, Vjollca Krasniqi dhe Besire Domaniku, njëherit anëtare të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut.


Në fund të aktivitetit, pjesëmarrëset patën mundësinë e dhënies së mesazheve frymëzuese dhe motivuese për vajzat dhe gratë.


I pranishëm ishte edhe drejtori i sponsorit tonë më të madh, BKT Kosova, Suat Bakkal.