+383 38 222 223 / [email protected]

E KONFIRMUAR: Sophie Sorschag merr lejen nga FIS-i për të garuar për Kosovën

Skitarja e kërcimeve me ski, Sophie Sorschag, tani e tutje mund të garojë për Kosovën.


Sorschag, që në janar të këtij viti vendosi të lë Austrinë dhe të garojë për Kosovën në garat ndërkombëtare, është dashur të presë rreth 10 muaj për t’iu dhënë drita e gjelbër nga Federata Ndërkombëtare e Skive (FIS).


FIS ka vendosur flamurin e Kosovës në uebfaqe, tek profili zyrtar i Sorschagut.


Deri tek konfirmimi i FIS-it, është dashur një punë e gjatë insistimesh dhe kërkesash, të bëra nga drejtuesit e KOK-ut, presidentit Ismet Krasniqi e sekretarit të përgjithshëm, Besim Aliti, si dhe kryetari i FSK-së, Milaim Kelmendi.


I pari i KOK-ut, Krasniqi dhe i pari i skitarisë në Kosovë, Kelmendi, falënderuan FIS-in, që përkundër vonesës, i dha lajmin e shumëpritur FSK-së.


Kelmendi, që është edhe nënpresident i KOK-ut, shtoi se tani e tutje presin që 24-vjeçarja të përfaqësojë denjësisht Kosovën në garat e rëndësishme ndërkombëtare.


E lumtur për lëshimin e kodit të FIS-it u shpreh edhe vetë Sorschag. “Jam shumë krenare që m’u dha mundësia të përfaqësojë Kosovën në kërcimet me ski në gjithë botën. Nuk po më pritet të garojë në nivelet më të larta dhe të debutojë në Kupën e Botës në Liellahammer prej 1-3 dhjetor 2023 dhe të debutoj për vendin që besoi në mua, më dha përkrahje të plotë dhe mundësinë për të ndjekur ëndrrat e mia. Mezi po pres të fluturoj për Kosovën”.


Sophie Sorschag ka një bagazh të madh në kërcimet me ski. Ajo u shpall kampione e botës në garat ekipore me Austrinë në vitin 2021, ndërsa mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.

Karriera dhe potenciali i saj, japin shpresa për medalje historike për Kosovën në sportet dimërore, pse jo edhe në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Kortina 2026.