+383 38 222 223 / [email protected]

AKK viziton KOK-un në kuadër të procesit të akreditimit të AOK

Ekspertë të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve dhe ekspertë të vlerësimit të kualifikimeve, kanë vizituar Komitetin Olimpik të Kosovës, në kuadër të procesit të akreditimit dhe validimit të programit të edukimit “Trajner Sportiv”, për të cilin ka aplikuar për akreditim Akademia Olimpike e Kosovës.

Ekspertët në përbërje: Bahri Gjinovci e Jeton Havolli (ekspertë të fushë), Lendita Ukimeraj (eksperte e sigurimit të cilësisë) dhe Donjeta Nimani, zyrtare e lartë për njohjen e mësimit paraprak në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimit, do të përgatisin raportin për Këshillin Kombëtar të Kualifikimeve, të cilët bazuar në raport do të vendosin për akreditim të programit të Akademisë Olimpike.

Në pjesën e parë të takimeve, programin e edukimit “Trajner Sportiv” e prezantuan fillimisht, udhëheqësit e AOK, koordinatori i edukimit arsimor, Fitim Arifi dhe koordinatorja e vlerave olimpike, Diellza Kelmendi, më pas disa prej profesorëve të angazhuar, prezantuan lëndët e tyre mësimore, procedurat e vlerësimit dhe metodologjinë e mësimdhënies, ndërsa në pjesën e tretë ekspertët vizituan infrastrukturën sportive.

Qëllimi i akreditimit të programit është edukimi i trajnerëve tanë – niveli i pestë, edukim ky që i përgjigjet nevojës së tregut kosovar për profesionistë në klubet sportive dhe federatat sportive, duke ndikuar drejtpërdrejt në metodat adekuate të përgatitjes dhe zhvillimin e trajnerëve për udhëheqjen e klubeve kosovare të të gjitha kategorive dhe për të gjitha gjinitë.