+383 38 222 223 / [email protected]

Deputetë të Kuvendit të Kosovës vizituan KOK-un

Një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin e Kosovës, kanë vizituar sot Komitetin Olimpik të Kosovës, me ç’rast janë pritur nga presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti.


Qëllimi i vizitës ishte marrja e informacioneve nga KOK për zbatimin e Ligjit për Sponsorizime në fushën e sportit, dhe gjetja e mundësive për përmirësimin dhe lehtësimin e funksionimit të tij.


Presidenti Krasniqi i njoftoi deputetët me rëndësinë dhe sfidat e këtij Ligji në jetësimin e tij në vitet e para, ndërsa shtoi se tani ky Ligj është jetik për mbarëvajtjen dhe funksionimin e sportit në Kosovë, duke përmendur këtu edhe ngritjen dhe përmirësimin e rezultateve të sportistëve dhe vetë sportit tonë.


Kryetari i këtij komisioni, Ardian Gola, duke falënderuar presidentin për mikpritjen dhe informacionet, theksoi se ky komision ka themeluar grupin punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-90 për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 06/L-116.


Kryetari Gola shtoi se interesi i komisionit është vazhdimi i zbatimit të këtij ligji, derisa u bisedua për mënyrat e lehtësimit të procedurave të zbatimit të tij, në mënyrë që sporti të përfitojë edhe më shumë të hyra nga biznese.



Deputetët uruan presidentin Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm, Aliti, për marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke e quajtur lajm të madh, si për sportin, ashtu edhe për kulturën dhe gjithë Kosovën.