Krahas ekipit olimpik të Kosovës, Lojërat Olimpike Paris 2024 do të kenë edhe një tjetër përfaqësues nga vendi ynë.
Është Bujar Shabani, ortopedi i përzgjedhur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), për t’i shërbyer sportistëve olimpistë nga e mbarë bota gjatë Lojërave Olimpike Paris 2024.
Bujari, falë edhe mbështetjes së KOK-ut, ka përfunduar shkollën sportive, të vetmen të akredituar nga IOC për t’u përzgjedhur më pas si mjek sportiv në spitalin olimpik, që ndodhet në Fshatin Olimpik në Paris 2024.
Në intervistën për revistën Olimpi, Bujari rrëfen rrugëtimin e tij të gjatë deri tek arritja e një prej synimeve të mëdha të karrierës së tij.
1. Kush është Bujari?
Fakultetin e Mjekësisë e kam përfunduar në Universitetin e Prishtinës, specializimin e kam filluar ne Lyon, Francë, derisa gjysmën e fundit e kam përfunduar në Prishtinë, QKUK. Doktoratën e kam përfunduar po ashtu në Lyon, Francë, me tematikë rreth Ligamentit të Kryqëzuar të Përparmë (ACL), që është njëra nga lëndimet më të shpeshta sportive.
Me të përfunduar specializimin fillova punën si ortoped në Klinikën e Ortopedisë – QKUK dhe ne Spitalin Otrila. Gjatë periudhës së specializimit dhe si ortoped, kam ndjekur shumë konferenca dhe ‘fellowshipe’ në gjithë botën.
Vlen të theksohen qëndrimi 3-vjeçar në Lyon (Francë), bursa nga Qeveria Amerikane – ‘Fulbright’ në njërën nga universitetet më me renome në botë Johns Hopkins University (6 muaj), ‘fellowshipi’ në Azi (Japoni, Kine, Qatar) mbështetur nga ISAKOS (“International Society of Arthroscopy, Knee Surgery and Orthopaedic Sports Medicine”), ‘fellowshipi’ në SHBA (“Sacramento, New York, Boston, New Mexico”) po ashtu mbështetur nga ISAKOS, ‘fellowshipi’ në Europe (11 qendrat më të njohura për kirurgji të nyjës së gjurit) mbështetur nga EKS (European Knee Society) etj. E gjithë kjo përvojë më ka shërbyer shumë që sot pacientëve në Kosovë t’ua ofroj shërbimet më cilësore të mundshme në vendin tonë. Po ashtu, duke iu falënderuar kësaj përvoje, kemi sjell risi në Kliniken e Ortopedisë dhe disa operacione janë kryer për herë të parë.
2. Çka ju lidh me sportin?
Dashuria me sportin më lidh nga fëmijëria. Babai im i ndjerë ka qenë dashamirës i madh i sportit, sidomos futbollit. Unë gjate rritjes kam ndjekur pothuajse secilën lojë në Ligën e Kosovës me të. Edhe pasi u bëra mjek, doja që të isha pjesë e sportit. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që unë kam zgjedhur si fushë veprimi Ortopedinë. Kjo më ka mundësuar që të jem sa më afër me sportistët.
3. Si erdhi ideja që të aplikoni për të qenë ortoped gjatë Lojërave Olimpike Paris 2024?
Në vitin 2022 kam përfunduar shkollën sportive, e vetmja e akredituar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Këtu ka lindur ideja, fillimisht që të jem pjesë e Lojërave Olimpike Paris 2024. Përkundër sfidave të shumta drejt këtij suksesi, puna ime, përvoja e lartcekur, ka bërë që të tejkalohen të gjitha këto sfida, përfshirë edhe ato politike dhe unë të jem pjesë e Lojërave Olimpike Paris 2024. Vlen të përmendet që unë do të jem pjesë e spitalit olimpik në kuadër të Fshatit Olimpik dhe do të përkujdesem për të gjithë atletët nga e gjithë bota përgjatë Lojërave Olimpike.
4. Gjatë programit të IOC për Mjekësi Sportive ju ka mbështetur edhe KOK-u?
Po, falënderoj KOK-un për mbështetje gjatë kryerjes së shkollës sportive. Shkolla në fjalë ka qenë me bazë në Skoci, mirëpo janë organizuar shumë punëtori (workshope) nëpër vende të ndryshme të Evropës. Kësisoj, shpenzimet kanë qenë të larta dhe bursa e dhënë nga KOK-u më ka ndihmuar në këtë drejtim.
5. Çka do të thotë për ty të fitosh të drejtën për t’iu shërbyer olimpistëve nga mbarë bota në ngjarjen më të madhe sportive në botë?
Kjo do të thotë shumë për mua, sepse do të jem mjeku i parë shqiptar në histori të Lojërave Olimpike, që do të jem me këtë pozitë. Sa do të jetë privilegj, në të njëjtën kohë do të jetë edhe përgjegjësi. Pjesë e stafit mjekësor në këto Lojëra do të jenë mjekët më me renome në botë dhe puna me ta do të jetë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Kjo do të thotë shumë edhe për shtetin tonë, sepse nga pak ortoped që do të jenë atje, njëri nga ta do të jetë nga Kosova. Po ashtu, përvojën time nga kjo ngjarje do ta përcjelli në vendin tonë dhe gjithashtu është hapur rruga edhe për mjekët tjerë që dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj ngjarje sportive madhështore.