Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe Ministria për Kulturë, Rini e Sport (MKRS) në bashkëpunim edhe me Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS), organizuan edicionin e radhës të Forumit të Sportit, aktivitet ky që u mbajt në kuadër të Javës Evropiane të Sportit (Be Active).
Në hapje të forumit, presidenti Ismet Krasniqi përgëzoi udhëheqësitë e Be Active, për organizimet e aktiviteteve, derisa tha se përkushtimi i të gjithëve është që çdo vit ta rrisim edhe më shumë këtë pjesëmarrje, që sporti të bëhet pjesë e përditshmërisë së çdo qytetari.
Për aktivitetet e organizuara dhe arritjet e deritashme foli koordinatori kombëtar i Javës Evropiane të Sportit, ndërsa Forumin dhe aktivitetet e tilla i vlerësuane dhe prodekani i FEFS, Malsor Gjonbalaj dhe Mimika Dobroshi nga programi Erasmus +.
Për panelin e parë me temën Inteligjenca Artificiale në sport dhe sfidat etike folën: Ibër Alaj nga Java Evropiane e Sportit, eksperti i marketingut digjital, Valon Canhasi dhe Metin Qestaj rtar ligjor në KOK.

Paneli i dytë, në të cilën u diskutua për ndryshimet klimatike me temën “Sporti dhe rekreacioni si shtytës i tranzicionit të gjelbër”, u përbë nga: Mimika Dobroshi (Erasmus Plus), Behare Bajraktari nga “Green Journalism” dhe zyrtarja e certifikuar për ndryshimet klimatike, Rejhan Halili (KOK).

Të dyja panelën ngjallën diskutime të shumta nga të pranishmit, të cilët përmes pyetjeve dhe komenteve madhështuan edhe më shumë Forumin.
Moment i veçantë ishte edhe nderimi që KOK me presidentin Ismet Krasniqi ia bëri veteranit të atletikës, Muhamet Rama, i cili përkundër se në moshë 80-vjeçare, vazhdon të jetë aktiv dhe tejet i suksesshëm, duke fituar medalje nga çdo garë ndërkombëtare në disiplina të vrapimit.








