Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka shënuar një tjetër sukses në fushën e projekteve ndërkombëtare, duke fituar projektin “Games Academy – Western Balkans Capacity and Certification (GA-WBCC)”, në kuadër të programit Erasmus+ Sport – Capacity Building in the Field of Sport.
Në kuadër të këtij projekti, KOK do të ketë rolin e Koordinatorit të Konsorciumit, duke udhëhequr një partneritet ndërkombëtar të përbërë nga organizata sportive dhe institucione akademike nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Italia dhe Portugalia.
Partnerët e projektit janë:
• Komiteti Olimpik i Malit të Zi
• Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar
• OPES – Itali
• Konfederata e Sportit e Portugalisë
• Fakulteti I Edukimit Fizik dhe i Sportit – UP
Projekti GA-WBCC synon zhvillimin e kapaciteteve dhe profesionalizimin e organizatave sportive dhe stafit të tyre në Ballkanin Perëndimor, përmes programeve të strukturuara të trajnimit dhe certifikimit.
Përmes këtij projekti, partnerët do të punojnë në forcimin e njohurive dhe aftësive profesionale në sektorin sportiv, duke nxitur njëkohësisht bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet organizatave sportive të rajonit dhe partnerëve evropianë.
Roli në këtë projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm për Komitetin Olimpik të Kosovës në drejtim të zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal, si dhe në zhvillimin e kapaciteteve profesionale në sport.
