Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, njëherësh kryesues i komisionit për organizimin e Festivalit Evropian Olimpik për të Rinj (EYOF) Lignano Sabbiadoro 2027, ka prezantuar raportin e progresit të përgatitjeve gjatë seminarit të 46-të të Komiteteve Olimpike Evropiane (EOC) dhe Forumit për Solidaritetin Olimpik, që po mbahet në Split të Kroacisë.
Para drejtuesve dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të EOC-ut, si dhe përfaqësuesve të Komiteteve Olimpike Kombëtare, Aliti paraqiti ecurinë e punëve dhe progresin e deritanishëm në përgatitjen e kësaj ngjarje. Prezantimi pasqyroi punën e bërë deri më tani dhe rëndësinë e koordinimit për organizimin e suksesshëm të një prej ngjarjeve kryesore evropiane për sportistët e rinj.
Aliti u emërua në fillim të këtij viti kryesues i komisionit për EYOF Lignano Sabbiadoro 2027, duke u bërë zyrtari i parë nga Kosova që merr një përgjegjësi të tillë në organizimin e një ngjarjeje ndërkombëtare shumësportëshe.
Ky rol dëshmon besimin ndaj profesionalizmit dhe përvojës së kuadrove të sportit të Kosovës, duke kontribuar njëkohësisht në forcimin e pranisë së vendit tonë në Lëvizjen Olimpike Evropiane.
EYOF Lignano Sabbiadoro 2027 do të mbahet nga 24 korriku deri më 1 gusht 2027, me pjesëmarrjen e sportistëve të rinj nga 48 shtete, të cilët do të garojnë në 14 sporte.
