KOK nderon gazetarin Artan Muhaxhiri

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka nderuar sot gazetarin sportiv, Artan Muhaxhiri, në shenjë mirënjohje për kontributin e çmuar të dhënë gjatë përcjelljes së ngjarjes historike, marrjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Gazetari Muhaxhiri, përmes RTK-së, bëri transmetim maratonik dhe të drejtpërdrejt të Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), duke sjell tek shikuesit tanë, momentet, emocionet, si dhe intervista të akterëve të ndryshëm, para dhe pas votimit të kandidaturës së Kosovës.

Marrë për bazë gjithë këtë kontribut, por jo vetëm, presidenti Ismet Krasniqi i ndau një pllaketë mirënjohjeje Muhaxhirit, i cili njëherit është edhe producent ekzekutiv i programit të sportit në RTK.

Presidenti Krasniqi vlerësoi lart kontributin e Artanit në përcjelljen e ngjarjes së 8 shtatorit 2023 në Heraklion të Greqisë, duke thënë se raportimi i tij emocionues dhe korrekt, i dha jehonë të madhe një vendimi historik për sportin e Kosovës, siç janë LM Prishtina 2030, për organizimin e të cilave do të rrugëtohet së bashku me RTK-në.

Nga ana e tij, gazetari Muhaxhiri, duke falënderuar KOK-un, në krye me presidentin Krasniqi, sekretarin e përgjithshëm, Besim Aliti dhe anëtarët e BE, theksoi se ky çmim do të zë vend të veçantë në karrierën e tij 20-vjeçare në RTK, derisa shprehu gatishmërinë për të rrugëtuar së bashku drejt projekteve të reja, me theks të veçantë LM Prishtina 2030.

Të pranishëm ishin edhe nënpresidenti i KOK-ut, Gazmend Maxhuni dhe anëtarët e BE, Avni Nuha e Bujar Turjaka.