Kanë mbetur edhe tri ditë deri në hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të FICTS Filmit Sportiv Prishtina 2023.
Festivali edhe këtë herë ka mbledhur filma sportivë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Do të jenë gjithsej shtatë filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë, të cilët pasqyrojnë vlerat olimpike dhe paralimpikë, sportistë, ish-sportistë, trajnerë dhe kontribues të sportit të Kosovës.
Në ceremoninë e hapjes (e premte), do të shfaqet premiera e filmit “Mija”, nga autorja Vjosa Osmani – Maqedonci, që i kushtohet legjendës së basketbollit, Resmije Juniku dhe klubit të basketbollit Universiteti.
Të njëjtën ditë, seria e filmave do të hapet me storjen “Kryemjeshtri”, të realizuar nga KOK-u dhe që i dedikohet trajnerit me tri medalje të arta olimpike, Driton Kuka.
Filmi “Pa vend”, i autorit Samir Karahoda, do të shfaqet prej orës 18:45, që për tematikë ka dy pingpongistë, të cilët enden nga një vend i panjohur në tjetrin me pronën e vetme të klubit, tavolinën.
Dy storje për sportistët paralimpistë, “Vrapuesi që humbi një dorë, synon Lojërat Paralimpike Paris 2024”, me autor Amir Rama dhe “Storja inspiruese për futbollistin Enis Xhemajli”, të autorit Dilaver Polisi, do të shfaqen po ashtu të premten.
Të shtunën janë rezervuar dy dokumentarë vendorë nga futbolli ynë.
“Një ikonë si Fadil Vokrri”, e autorit Emanuell Syla, shfaqet prej orës 19:30, ndërsa para tij është dokumentari “Heroi i heshtur”, i autorit Kastriot Saqipi, që i kushtohet menaxherit të parë shqiptar të FIFA-s, Hasan Kadriu.
Të njëjtën do të ketë edhe filma tjerë ndërkombëtarë, që për tematikë kanë olimpizmin, futbollin, alpinizmin dhe zhanre të tjera, ndërsa Festivali do të mbyllet me dokumentarin për “Sekretet e dopingut: Si i bënë Rusia fituesit e saj”!
Hyrja në kino ABC është FALAS.