+383 38 222 223 / [email protected]

Interesim i madh për Festivalin e 3-të Ndërkombëtar të FICTS Filmit Sportiv Prishtina 2023

Ka përfunduar edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të FICTS Filmit Sportiv Prishtina 2023, i cili më 20 dhe 21 tetor 2023 u mbajt në kinemanë ABC në Prishtinë.


Për dy ditë u shfaqën 14 filma të zhanreve dokumentarë të shkurtër, dokumentarë të gjatë, storje, etj, tetë prej të cilëve ishin vendorë.


Dy filma u dhanë premierë. Njëri “Mija”, i autores Vjollca Maqedonci – Osmani, që u shfaq të premten dhe që i dedikohej legjendës së basketbollit kosovar, Resmije Juniku dhe “Heroi i heshtur”, i autorit Kastriot Saqipi, që i kushtohej menaxherit të parë të FIFA-së, të ndjerit, Hasan Kadriu.


Të dy dokumentarët zgjuan kërshëri të madhe të shikuesve, sikurse “Kryemjeshtri”, “Rrugëtim prej kampioni”, “Një ikonë si Fadil Vokrri”, “Pa vend”, “Vrapuesi i cili humbi një dorë synon Lojërat Paralimpike Paris 2024”, “Tregim inspirues i futbollistit nga Gjilani, Enis Xhemaili”, etj.


Disa prej këtyre dokumentarëve, konkurrojnë për çmime edhe në Festivalin Botëror të Filmit Sportiv, që organizohet muajin e ardhshëm në Milano të Italisë nga Federata Ndërkombëtare e Kinematografisë Sportive (FICTS).


Në ceremoninë hapëse, anëtarja e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, Besire Domaniku, foli për rëndësinë që ka organizimi i këtij Festivali dhe promovimi i historisë tonë, sfidave dhe sukseseve përmes realizimit të dokumentarëve, të cilët krahas vendit tonë, kanë mundësi të shfaqen edhe në kinematë botërore.


Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj, theksoi se MKRS ka mbështetur disa prej filmave, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.


Presidenti i FICTS-it, Franco Ascani, përmes një video-mesazhi, deklaroi se Festivali jep mundësinë e promovimit të vlerave kulturore të lëvizjes olimpike dhe kulturën përmes sportit.

Krahas drejtuesve të federatave sportive, kontribuuesve të sportit, trajnerëve, sportistëve, regjisorëve, etj, festivali u vizitua edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, Ardita Sinani, trajneri i Kombëtares Shqiptare të futbollit U-21, Alban Bushi, etj.



KOK prej vitit 2020 ka nisur organizimin e Festivalit të Filmit Sportiv, një vit pas anëtarësimit në FICTS.