Bordi Ekzekutiv i KOK-ut, nën drejtimin e presidentit Ismet Krasniqi, mbajti mbledhjen e 34-të, në të cilën shqyrtoi pika të ndryshme të rendit të ditës.
Mbledhja nisi me një minutë heshtje, në nderim të anëtares së Bordit Ekzekutiv, Shqipe Bajçinca-Brestovci, e cila u nda nga jeta javë më parë, pas një sëmundje të rëndë.
Në mbledhje u diskutua kryesisht për Lojërat Olimpike Paris 2024, të cilat prej 26 korrik deri më 11 gusht mbahen në Paris të Francës.
Në lidhje me këto, raportoi shefi i misionit, Jeton Rudari, i cili konstatoi se përgatitjet e ekipit tonë po shkojnë sipas dinamikës së paraparë dhe se lista përfundimtare e sportistëve dhe delegacionit do të dihet në fund të muajit qershor.
Ashtu siç ishte premtuar në Asamblenë e Punës së KOK-ut për vitin 2023, për diskutim në mbledhje, të ftuar ishin drejtuesit e Federatës së Notit të Kosovës, me në krye Agron Zeqirin, me të cilët Bordi diskutoi për mos përfshirjen e notares Hana Beiqi në Kampionatet Botërore dhe hapat e mëtutjeshëm deri në LO Paris 2024.
Bordi u njoftua edhe për Gala Mbrëmjen që do të organizohet më rastin e 10-vjetorit të pranimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, shënimin e Ditës dhe Javës Olimpike 2024, si dhe organizimin e Festivalit Olimpik, që do të mbahet gjatë verës në Prishtinë.
Për shkak të aktiviteteve jashtë vendit, një pjesë e anëtarëve të BE, mbledhjen e vijuan online.





