Vendimet e mbledhjes së 29-të të BE të KOK-ut

Bordi Ekzekutiv i KOK-ut, nën udhëheqjen e presidentit Ismet Krasniqi, ka mbajtur mbledhjen e 29-të të tij, në të cilën shqyrtoi pika të ndryshme të rendit të ditës.


  • BE vlerësoi lartë arritjen e marrëveshjes së re të sponsorizimit me BKT Kosova, në vlerë prej 3 milionë euro për 10 vitet e ardhshme. Po ashtu, u diskutua për kampanjën e re të BKT Kosova dhe KOK “Bëhu Hero”, ku çdokush që paguan me visa kredit kartelë të BKT Kosova, 1 për qind e komisionit do të shkojë për KOK-un, të dedikuara për sportistët në rrugëtimin drejt LO Paris 2024. Kjo marrëveshje është ndarazi nga marrëveshja e re e sponsorizimit.


  • U formua grupi koordinues për organizimin e Platformës Evropiane të Sportit 2024, që do të organizohet në muajin tetor 2024 në Prishtinë.


  • U diskutua për performancën e bursistëve olimpikë Paris 2024 për vitin 2023.


  • U diskutua rreth takimeve të grupit koordinues për hartimin e projektligjit të sportit dhe u definuan pikat për diskutim me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS).


  • U rekomanduan për shpërblime në MKRS, për sportistët e xhudos: Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu dhe Akil Gjakova, si dhe trajnerin Driton Kuka, për medaljet e fituara në Kampionatin Evropian Montpellier, Francë, sipas rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore.


  • U rekomandua për shpërblim xhudistja Fatjona Kasapi dhe trajneri Driton Kuka, për medaljen e fituar në Kampionatin Evropian U-23 në Potsdam, Gjermani.


  • U rekomandua për shpërblim boksieri Bashkim Bajoku dhe trajneri Besim Brahimi, për medaljen e fituar në Kampionatin Evropian U-22 në Budva, Mal i Zi.


  • U rekomanduan për shpërblim ekipi i karatesë, sportistet: Fortesa Orana, Albulena Gërvalla, Hatixhe Zejnullahu, Vlerë Qerimi dhe trajneri Muhamet Rexhepi, për medaljen e fituar në Kampionatin Botëror në Budapest të Hungarisë.


  • U refuzua kërkesa për rekomandim të shpërblimit, për kick-boksierin Ron Kasumi dhe trajnerin Ilir Menxhiqi, në mungesë të plotësimit të kriterit të garuesve në kategori, sipas nenit 5, pika 3, të rregullores 15/2013 për ndarjen e shpërblimeve shtetërore.


U shqyrtuan edhe kërkesa tjera drejtuar BE të KOK-ut.