+383 38 222 223 / [email protected]

9 vjet të anëtarësimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar

9 dhjetori i vitit 2014 shënon një prej datave më të rëndësishme në histori të sportit të Kosovës dhe jo vetëm.


Sot, 9 vjet më parë, u thye izolimi dhe diskriminimi shumëvjeçarë i sportit dhe sportistëve tanë, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) pranoi si anëtar të ri Komitetin Olimpik të Kosovës.


KOK u anëtarësua në IOC, në sesionin e 127-të të mbajtur në Monako, anëtarësim ky që iu kishte hapur më pas rrugën shumë federatave sportive në vend për t’u anëtarësuar në federatat përkatëse ndërkombëtare.


Tri medaljet e arta olimpike nga xhudo, shumë të tjera në Kampionate Botërore, Evropiane e Mesdhetare, dhe së fundi marrja e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, janë dëshmi se përkundër që jemi vend i ri dhe i vogël në lëvizjen olimpike botërore, ne e dimë rrugën e podiumeve të ngjarjeve më të mëdha dhe organizimit të nivelit më të larta.


Në këtë ditë të veçantë për gjithë lëvizjen olimpike në vend, shfrytëzoj rastin të përgëzojë gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në ndërkombëtarizimin e KOK-ut, por edhe gjithë atyre që sakrifikuan vetën dhe familjet e tyre për të mbajtur gjallë sportin tonë.


Mirënjohës pa fund edhe ndaj IOC-ut me presidentin Thomas Bach, për vendimin e marrë, falë të cilit sot sportistët tanë gëzojnë të drejtën e barabartë të garimit dhe pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike dhe jo vetëm.


Urime sportistë, trajnerë, drejtues federatash dhe kontribues të shumtë!


𝐈𝐬𝐦𝐞𝐭 𝐊𝐫𝐚𝐬𝐧𝐢𝐪𝐢

𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭 𝐢 𝐊𝐎𝐊-𝐮𝐭