+383 38 222 223 / [email protected]

Vendimet e mbledhjes së 20-të të BE të KOK-ut

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, nën udhëheqjen e presidentit Ismet Krasniqi, mbajti javën e kaluar mbledhjen e 20-të, të fundit për vitin 2022.

Në mbledhje u shqyrtuan pika të ndryshme të rendit të ditës.

Më poshtë mund të gjeni vendimet e dala:

–        U miratua lista prej 10 “Shpresave Olimpike 2023”, të përzgjedhura nga komisioni i sportit. Bursistët do të mbështeten me nga 150 euro në muaj nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport.

–        U vendos që të hapet aplikimi për “Shpresa Olimpike 2023”, të cilat mbështeten nga KOK-u. U vendos që të rritet numri i bursistëve nga 25 sa ishte për vitin 2022.

–        U konstatua se përgatitjet për pjesëmarrje në Festivalin Dimëror Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) “Friuli, Venezia, Giulia 2022”, po shkojnë sipas dinamikës së paraparë.

–        U caktua komisioni për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2023. Komisioni do të përëhet nga: Nënpresidentët Gazmend Maxhuni e Eugen Saraqini dhe anëtarët e BE, Agron Mala, Bujar Turjaka e Vjollca Krasniqi.

–        Bordi u njoftua për procesin e akreditimit të Akademisë Olimpike për program profesional të edukimit të trajnerëve.

–        U formua komisioni për përzgjedhjen e Laureatëve të vitit 2022. Komisioni do të përbëhet nga: Nënpresidenti Eugen Saraqini, anëtarët e BE, Musa Hajdari e Besire Domaniku, ish-sportisti Florian Miftari dhe gazetari i sportit, Arsim Maxhera.

–        U diskutua për sistemin kualifikues të sporteve për Lojërat Evropiane Krakovia dhe Malopolska 2023 dhe Lojërat Olimpike Paris 2024.

–        U diskutua për kërkesën e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, në lidhje me procesin e licencimit të federatave sportive dhe rekomandimit për të ndalur procesin e dhënies së vërtetimeve për klubet, federatat e të cilave janë në proces të licencimit.

–        U informua për fitimin e projektit në Solidaritetin Olimpik të IOC në lidhje me “safeguarding”.

–        U informua për vazhdimin e mbështetjes edhe për një vit të Solidaritetit Olimpik të IOC për Akademinë Olimpike të Kosovës.

–        U informua për kurset teknike për trajnerët e Federatave të Pingpongut dhe Tenisit të Kosovës.

–        U miratua propozimi i kryetarit të komisionit mjekësor të KOK, Avni Nuha, që  Gëzim Murseli dhe Basri Lenjani të emërohen anëtarë të këtij komisioni.

–        U miratua kërkesa për kategorizimin e trajneres së karatesë, Shqipe Zogiani, bazuar në rekomandimin e Federatës së Karatesë së Kosovës.

–        U miratua kërkesa e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës (FSUNK) për rekomandim për shpërblim në MKRS, pas rezultateve të arritura në Lojërat Evropiane të Sporteve Universitare, të mbajtura në Lodz të Polonisë.

–        U miratua kërkesa e Federatës së Esporteve të Kosovës për rekomandim për shpërblim në MKRS pas rezultateve të arritura në Kampionatin Botëror të Esporteve, të mbajtur në Eilat të Izraelit.