U prezantua ekipi Olimpik i Kosovës, si dhe u mbajt ligjëratë për anti-doping

Pas pritjes së organizuar tek presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe vënies së gurëthemelit të Qendrës së parë për Mjekësi Sportive, Komiteti Olimpik i Kosovës në një ceremoni të veçantë prezantoi ekipin Olimpik, që do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018. 40 sportistë, 13 trajnerë dhe katër gjyqtarë do të përfaqësojnë vendin tonë në Kataluni të Spanjës.
Në prezantimin e bërë në Hotel Sirius në Prishtinë, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se KOK-u ka bërë të gjitha përgatitjet për të marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018.
Ai beson se ekipi Olimpik i Kosovës nuk do të kthehet pa medalje.
Edhe karateisti, Herolind Nishevci dhe volejbollistja, Vildane Jashari, u shprehën optimistë se Kosovën do ta përfaqësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pas prezantimit të sportistëve, KOK-u kishte organizuar edhe një ligjëratë anti-dopingu ku sportistëve iu ligjëroi mjeku Enver Tahiri, i cili porositi sportistët të kenë kujdes se çfarë do të përdorin.
Presidenti Hasani me bindje të plotë iu tha sportistëve se ai i cili do të dalë pozitiv në doping do të përjashtohet nga kjo garë dhe do të jetë simbol i keq për kombin tonë.
Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018 hapen më 22 qershor dhe mbyllen më 1 korrik.