+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

RTK dhe KOK nënshkruajnë marrëveshje për “Taranto 2026”

Radio Televizioni i Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për mbulimin medial të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.


Me këtë rast, Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, u prit në RTK nga Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, U.D. Drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla, dhe Producenti Ekzekutiv i Sportit, Artan Muhaxhiri.


Në kuadër të marrëveshjes, RTK do të sjellë përmes transmetimeve të drejtpërdrejta garat dhe paraqitjet e sportistëve kosovarë në këtë ngjarje të madhe ndërkombëtare që mbahet më 21 gusht – 3 shtator 2026.


Kosova në Taranto merr pjesë me delegacionin më të madh në histori, me 21 sporte, 163 sportistë prej të cilëve 87 meshkuj dhe 76 femra.


Për herë të parë, Kosova do të garojë edhe në katër sporte ekipore – futboll, volejboll, hendboll dhe basketboll 3×3.


Në dy edicionet e kaluara, Kosova ka fituar 10 medalje – 9 në xhudo dhe 1 në boks.


Një tjetër moment historik do të jetë ceremonia e mbylljes, ku Kosovës do t’i dorëzohet flamuri i Lojërave Mesdhetare, si nikoqire e edicionit të ardhshëm – “Prishtina 2030”.