Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë prezantimin e ekipit të Kosovës për Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, që do të mbahen prej 21 gusht deri më 3 shtator 2026 në Itali.
Kosova do të përfaqësohet me 163 sportistë, prej tyre 87 meshkuj dhe 76 femra, në 21 sporte, duke shënuar numrin më të madh të sportistëve që kanë përfaqësuar vendin tonë në një ngjarje ndërkombëtare shumësportëshe.
Në kuadër të ceremonisë u bë edhe dorëzimi i flamurit të Kosovës për bartësit e tij në ceremoninë hapëse. Në mungesë të përfaqësuesve të xhudos, të cilët do t’i bashkohen ekipit më vonë për shkak të kalendarit të garave, flamuri iu dorëzua boksieres Donjeta Sadiku dhe taekwondistit Bleron Ademi nga kryeministri Albin Kurti, dhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi.
Presidenti Krasniqi iu drejtua sportistëve duke kërkuar nga ta që të japin maksimumin në garat e Taranto 2026 dhe ta përfaqësojnë Kosovën me krenari, dinjitet dhe përgjegjësi.
Kryeministri Kurti, duke iu uruar suksese sportistëve tanë, shprehu dëshirën që flamuri i Kosovës të valëvitet me krenari në Taranto, si simbol i sukseseve të ekipit tonë.
Trajneri me 9 medalje mesdhetare në xhudo, Driton Kuka, u shpreh optimist për suksese tjera në Taranto, sikurse medalistja olimpike e mesdhetare, Laura Fazliu.
Me ekipin më të madh në historinë e pjesëmarrjeve ndërkombëtare, Kosova shkon në Taranto 2026 me ambicie për paraqitje dinjitoze dhe suksese të reja për sportin e vendit.
Pas Taranto 2026, vendi ynë do të marrë flamurin e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.



