+383 38 222 223 / [email protected]

Presidenti i ISSF-së, Luciano Rossi, vizitoi Kosovën, u prit edhe në KOK

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Shenjëtarisë (ISSF), Luciano Rossi, ka vizituar sot Kosovën, me ç’rast është pritur nga presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi dhe drejtuesit e Federatës së Shenjëtarisë Sportive të Kosovës, kryetari Gëzim Hazrolli, sekretari i përgjithshëm, Driton Sejdiu dhe nënkryetari Agron Jusufi.


Të pranishëm në takim ishin edhe drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, dhe kryetari i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rrufa.


Presidenti Krasniqi, duke i uruar mirëseardhje presidentit Rossi, i shprehu vullnetin dhe gatishmërinë që bashkërisht të vazhdojnë përkrahjen për avancimin e mëtutjeshëm të shenjëtarisë sportive në Kosovë, derisa foli edhe për marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, pjesë e të cilave do të jetë edhe sporti i shenjëtarisë sportive.



Edhe kryetari Hazrolli, falënderoi të parin e shenjëtarisë në botë për vizitën, duke thënë se vizita e tij tregon mbështetjen që ka për FSHSK-në, derisa foli edhe për bashkëpunimin e mirë me KOK-un.


Nga ana e tij, presidenti Rossi, duke falënderuar KOK-un dhe FSHSK-në për mikpritjen, tregoi se bashkëpunimi i mirë me FSHSK-në, ka nisur që nga procesi i anëtarësimit të kësaj federate në ISSF-së, ku ai kishte dhënë përkrahje të fuqishme, derisa veçoi punën dhe përkushtimin e federatës tonë për avancimin dhe ngritjen e cilësisë së këtij sporti në Kosovë.



FSHSK, ashtu si federatat tjera, buxhetin kryesor e kanë nga MKRS, për çka drejtori Ibër Alaj premtoi përkrahje edhe në të ardhmen, në mënyrë që ky sport të fuqizohet edhe më shumë.


Palët diskutuan edhe për projekte tjera të bashkëpunimit në interes të sportit të shenjëtarisë në Kosovë, me theks të veçantë investimet që do të bëhen për shenjëtarinë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.


Pas takimit të mbajtur në KOK, presidenti Rossi vizitoi edhe sallën e shenjëtarisë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku pajisjet të cilat përdoren nga shenjëtarët janë pikërisht donacion i ISSF-së.