Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i shoqëruar nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Evropës, presidenti Spyros Capralos dhe drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë mirëpritur nga kryeministri Albin Kurti, i cili shoqërohej nga zëvendëministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani.
Bach dhe Kurti kanë biseduar për progresin që Kosova ka bërë në fushën e sportit, arritjet e sportit tonë në 10 vjet të anëtarësimit në familjen e madhe olimpike, me theks të veçantë pesë medaljet e olimpike.
Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë IOC-së për rolin e saj në pranimin e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar të sportit, përkatësisht në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik. Pikërisht sot shënohet 10-vjetori i pranimit të Kosovës me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Gjatë takimit u diskutua edhe rreth organizimit të edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, për çka Presidenti Bach përgëzoi vendin tonë.



