Me ceremoninë hapëse të mbajtur në stadiumin “Abdoulaye Wade”, kanë nisur zyrtarisht Lojërat e katërta Olimpike Verore për të Rinj Dakar 2026, të cilat zhvillohen nga 31 tetori deri më 13 nëntor në Senegal.
Në parakalimin e delegacioneve, flamurin e Kosovës e mbajti xhudistja Arba Hasanaj. Ceremonia u karakterizua nga koreografi me elemente kulturore e sportive, që ndërthurën traditën dhe kulturën senegaleze me frymën olimpike.
E pranishme në ceremoni ishte edhe presidentja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry.
Lojërat Olimpike për të Rinj Dakar 2026 mbledhin sportistë të moshës 14–18 vjeç. Krahas xhudistes Hasanaj, ekipin tonë olimpik e përbëjnë edhe taekwondistja Shega Sejdiu dhe atletja Erisë Avdullahu.
