Me rastin e shënimit të 10 Tetorit – Dita Botërore e Shëndetit Mental, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), ka organizuar sot seminarin e 2-të për shëndetin mental në sport, në të cilin morën pjesë rreth 40 trajnerë të federatave të ndryshme sportive.
Ligjëruese ishte psikologia ndërkombëtare nga Sllovenia, Andreja Holsedl, ish-sportiste e çiklizmit rrugor, e cila përmes bashkëbisedimit interaktiv me të pranishmit, shpalosi përvojën e saj me sportistë të ndryshëm, duke kontribuar në ngritjen e nivelit të trajnerëve tanë në raport me sportistët e tyre.
Në hapje të seminarit, të mbajtur në Hotel Sirius në Prishtinë, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, që shoqërohej nga nënpresidenti, Gazmend Maxhuni, foli për rëndësinë që ka një seminar i tillë për trajnerët në Kosovë, për të cilët tha se krahas punës së tyre, kryejnë edhe punë tjera në klub, përfshirë këtu edhe punën e psikologut.
Një prezantim të shkurtër e kishte edhe koordinatorja e vlerave olimpike në Akademinë Olimpike, Diellza Kelmendi, e cila para të pranishmëve prezantoi vlerat olimpike dhe sukseset tona në Lojërat Olimpike.











