Miratohet programi i Lojërave Olimpike Los Anxhelos 2028

Programi i garave dhe kuotat për sportistët për Lojërat Olimpike Los Anxhelos 2028 janë miratuar nga Bordi Ekzekutiv (EB) i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Me gjithsej 351 gara medaljesh – 22 më shumë se në Paris 2024 (329) – programi i LA28 ruan kuotën bazë prej 10,500 sportistësh, me 698 vende shtesë të alokuara për pesë sportet e propozuara nga Komiteti Organizues i LA28 (bejzboll/softboll, kriket, futboll me flamur, lakros dhe skuash). Për herë të parë do të ketë më shumë vajza se sa djem në LO.


Për herë të parë në histori, të gjitha sportet ekipore do të kenë të paktën të njëjtin numër ekipesh femrash sa edhe meshkujt, me vaterpollon që shton dy ekipe femrash, duke e çuar në 12 ekipe për secilën gjini.


Barazia gjinore ishte një kriter kyç gjatë vendimmarrjes për kuotat e sportistëve dhe numrin e garave. Në programin fillestar të sporteve, me 10,500 sportistë, ka 5,333 sportiste dhe 5,167 sportistë. Sportet shtesë do të sjellin edhe 322 sportiste dhe 376 sportistë të tjerë. Për më tepër, gjashtë gara mikse janë shtuar në programin e garave. Nga gjithsej 351 gara, 161 janë për femra, 165 për meshkuj dhe 25 të përziera.


Ndryshimet:


Futboll: për herë të parë në historinë olimpike, do të garojnë më shumë ekipe të femrave (16) sesa të meshkujve (12).
Boks: një kategori shtesë për femra siguron barazi të plotë gjinore në gara, duke ruajtur njëkohësisht numër të barabartë kuotash për sportistët dhe sportistet, ashtu si në Paris 2024.
Vaterpollo: dy ekipe shtesë për femra do të sigurojnë barazi të plotë gjinore në kuotën e sportistëve dhe numrin e ekipeve.
• Sportet mikse të zgjeruara: Shigjetaria, atletika (stafeta 4x100m e përzier), golfi, gjimnastika, garat bregdetare të lundrimit me varka dhe pingpongu, do të përfshijnë gara të reja ekipore të përziera.




Mundësi të reja për medalje:


Not: garat në stilin 50 metra shpinë, flutur dhe bretkosë për femra dhe meshkuj do të sjellin emocione të mëdha në pishinën e Stadiumit Inglewood.
Lundrim me varka: gara solo për femra (CW1x), meshkuj (CM1x) dhe çifte të përzier (CX2x) do të debutojnë në garat bregdetare.
Ngjitje sportive: disiplina boulder dhe lead do të jenë ngjarje të ndara për medalje, duke krijuar skena të reja për të shkëlqyer sportistët.
Basketboll 3×3: pas debutimit në Lojërat Olimpike Tokyo 2020 me tetë ekipe për çdo gjini, tani do të ketë nga 12 ekipe për femra dhe meshkuj.


Programin e plotë të garave e gjeni duke klikuar KËTU.