+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

Mijëra të rinj realizuan vrapimin e gjeneratës 2008

Mijëra të rinj të lindur në vitin e Pavarësisë së Kosovës (2008) janë mbledhur sërish për të realizuar vrapimin simbolik, projekt ky i nisur në vitin 2012 nga Komiteti Olimpik i Kosovës.


Vrapimi u mbajt sot në Prishtinë, Podujevë, Gjakovë, Obiliq, Istog e Drenas, ndërsa javën tjetër mbahet edhe në Dragash.


Në Prishtinë, krahas presidentit të KOK-ut Ismet Krasniqi, dhe presidentit te nderit, Besim Hasani, njëherit ideator i këtij projeki, mori pjesë edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të cilët në fjalën e tyre vlerësuan lart projektin, duke i quajtur pjesëmarrësit “gjenerata më me fat”.


Fëmijët vrapuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek sheshi “Skënderbeu”, ndërsa në fund u ndanë shpërblimet për më të suksesshmit. Krahas medaljeve, fituesit morën patike, përfituan kurs falas nga Ambasada e Francës në Kosovë, si dhe fanella e kapelë të KOK-ut.


Qëllimi i projektit është që të lindurit në vitin 2008, të jeni pjesë e një rruge të përbashkët që nga fëmijëria e deri në moshë madhore, duke e mbajtur gjallë kujtimin dhe krenarinë për vitin e shtetformimit.