+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

Mesazhi i Presidenti Ismet Krasniqi për Vitin e Ri

Teksa i japim lamtumirën vitit 2025, Komiteti Olimpik i Kosovës shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë sportistët, trajnerët, federatat sportive, partnerët dhe miqtë e sportit që kontribuuan në një vit të mbushur me punë, përkushtim dhe rezultate domethënëse.


Viti 2025 u shënua nga zhvillime të rëndësishme për lëvizjen olimpike në Kosovë: u mbajt Asambleja Zgjedhore e KOK-ut, sportistët tanë përfaqësuan me dinjitet vendin në gara ndërkombëtare si EYOF Dimëror dhe EYOF Veror, ku në “Shkupi 2025”, fituam medalje të bronztë me xhudisten Enise Zijade, nisi mbështetja me bursa për 32 sportistë elitarë në rrugëtimin e tyre drejt Lojërave Olimpike Los Anxhelos 2028, si dhe u organizuan aktivitete të shumta të promovimit të vlerave olimpike dhe edukimit olimpik.


Po ashtu, me formimin e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 (OCMG), u hodhën themele të forta për organizimin e kësaj ngjarje madhështore në vendin tonë.


Në vitin 2026 na presin sfida të reja dhe gara të shumta ndërkombëtare, nisur nga Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina, Lojërat Mesdhetare në Taranto të Italisë dhe Lojërat Olimpike për të Rinj, që mbahen në Dakar të Senegal.


Gëzuar 2026 dhe një vit të mbarë!


Ismet Krasniqi

President i KOK-ut