Faleminderit i themi Parisit për organizimin e shkëlqyer të Lojërave Olimpike 2024, të cilat u mbyllën të dielën mbrëma në ceremoninë e organizuar në stadiumin “Stade de France”.
Për dallim nga ceremonia hapëse, në parakalim ishin flamurmbajtësit, derisa flamurin tonë e mbajtën atletja Gresa Bakraçi dhe notari Adell Shaboviq.
Ceremonia e mbajtur para rreth 80 mijë shikuesve u përshkrua me atmosferë impozante, ku gërshetoheshin kultura dhe tradita franceze, përmes edhe promovimit të vlerave olimpike.
Në fund të ceremonisë, presidenti i IOC-ut, Thomas Bach, që falënderoi Parisin për organizimin e shkëlqyer, bëri dorëzimin e flamurit olimpik për vendin mikpritës të Lojërave të ardhshme Olimpike LA28.
Flamurin e pranuan kampionia e shumëfishte olimpike, gjimnastja Simone Biles dhe e para e Los Anxhelosit, Karen Bass.
Ekipi ynë në Paris 2024 u përfaqësua me nëntë sportistë, prej të cilëve fitoi dy medalje me xhudistet, Distria Krasniqi, që mori të argjendtën dhe Laura Fazliu të bronztën.