Medalisti botëror dhe Evropian që la Suedinë për Kosovën

Në vitin 2022 fitoi medaljen e bronztë të botës për të rinjtë. Në të njëjtin vit u stolis me medaljen e bronztë të Evropës për U-21, ndonëse ishte vetëm 17-vjeçar. Medalje ka të fituara edhe në gara tjera, por të nivelit më të ulët. Të gjitha këto i ka arritur duke përfaqësuar Suedinë.


Por, që nga ky vit, Bleron Ademi, ka vendosur ta përfaqësojë shtetin e vendlindjes së prindërve të tij, Kosovën.


Taekwondisti i ri zgjodhi zemrën dhe që në debutimin e tij me flamurin tonë, u ngjit në podium. Fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian U-21, të mbajtur në Bukuresht të Rumanisë, prej 7-10 dhjetor 2023, duke shënuar katër fitore. U ndal vetëm në finale.



Në intervistën për revistën Olimpi, 18-vjeçari flet për karrierën e tij dhe të ardhmen, ku nuk ngurron të përmend ëndrrën e madhe “Kampion olimpik si Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi”.


Kush është Bleron Ademi?

Jam lindur në Baerum të Norvegjisë, dhe pas dy vitesh jemi transferuar me familjen në Trollhatan të Suedisë, ku jetoj edhe sot. Me taekëondo merrem prej 12 vitesh, që nga mosha 6-vjeçare.


Dhe pas shumë vitesh përfaqësimi dhe sukseseve me Suedinë, vendosët të garonit për Kosovën.

Po, pasi shokët e mijë nga ekipi i Kosovës në taekwondo më thonin për të garuar për Kosovën, vendosa ta bëjë këtë. Krahas kësaj, e ndjeja se ishte koha të përfaqësojë vendin tim të vërtetë. Për më tepër, ndjeja se Suedia nuk më vlerësonte aq shumë sa Kosova.


Nuk të vlerësonte?

Jo aq sa duhet, edhe pse isha medalist i bronztë i botës (për të rinjtë).


Që në debutimin tuaj me Kosovën, latë gjurmë, duke u ngjitur në podiumin e Evropianit U-21. Si u ndiet me flamurin në krahë?

Ishte një ëndërr e realizuar, më bëri edhe më të motivuar për të performuar mirë dhe për të fituar medalje.


Synimet tuaja?

Synimet e mia për të ardhmen janë të vazhdoj të fitoj medalje në kampionate të rëndësishme dhe t’u hap dyert të gjithë sportistëve të tjerë të taekwondo-së shqiptare. Por, ëndrra ime më e madhe është sigurisht që të fitoj medaljen e artë olimpike për Kosovën, ashtu si Majlinda, Distria dhe Nora.