Aktivitete të shumta janë organizuar sot me rastin e mbylljes së kampanjës me letër të bardhë, të nisur më 6 prill, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Paqe dhe Zhvillim.
Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës organizoi aktivitete me fëmijë 5-vjeçarë nga institucionet parashkollore, të cilat u mbajtën në Parkun e Gërmisë, derisa praktikuan sporte të ndryshme si futboll, basketboll, atletikë, tenis, karate, ngjitje, paralimpizëm, etj. Aktivitete sot u organizuan edhe në Gjilan e Suharekë, derisa gjatë javës kampanjës iu kishin bashkuar edhe Ferizaj, Peja, Istogu, Lipjani, Drenasi e Kaçaniku.
Në aktivitetin në Gërmi, krahas drejtuesve të KOK-ut, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, anëtari i Bordit Ekzekutiv të IOC, njëherit president i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, Morinari Watanabe, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, Përfaqësuesja e organizatës “Play International”, Sara Kalvachova, drejtues të Federatave Sportive të Kosovës, Komitetit Paralimpik, edukatorë, fëmijë, etj.
Presidenti Krasniqi në fjalën e tij foli për shënimin e kësaj dite, që sipas tij, kishte mobilizim të jashtëzakonshëm gjatë tërë javës. “Ngritja e letrës së bardhë simbolizon dërgimin e mesazhit të paqes në botë. Ky mesazh si kurrë më parë meritonte të përqohej pikërisht tani, kur bota ka kthyer vëmendjen tek lufta në Ukrainë, e cila na kujton më së miri ndjenjën që ne kishim 23 vjet më parë. Sot, kemi mbledhur mijëra fëmijë 5-vjeçarë të Komunës së Prishtinës, të cilët kanë mbushur Parkun e Gërmisë, dhe të cilët do të praktikojnë për herë të parë sportet e futbollit, basketbollit, atletikës, tenisit, karatesë dhe paralimpizmit”, theksoi mes tjerash presidenti Krasniqi.
Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëri thirrje për solidaritet në shënimin e kësaj dite, derisa foli për rëndësinë që ka marrja e fëmijëve me sport. I pari i kryeqytetit foli edhe për prioritetet e tij në përmirësimin e infrastrukturës sportive.
Morinari Watanabe, që po e viziton Kosovën, shprehu kënaqësinë e të qenit në këtë aktivitet, derisa foli për benefitet që sjell marrja e fëmijëve me sport.
Ambasadorja Buttel vlerësoi lart organizimin e aktiviteteve të KOK-ut, në promovimin e vlerave olimpike, rëndësinë që ka paqja dhe solidariteti në sport, ndërsa përmendi organizimin e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike që do ta bëjë Franca në vitin 2024.
Sara Kolvachova nga “Play International” theksoi se organizimi i aktiviteteve është mesazhi më i mirë që mund t’i japim paqes në botë.
Pikërisht me këtë organizatë, KOK nënshkroi memorandum bashkëpunimi, të cilin e nënshkruan presidenti Krasniqi dhe Kolvachova nga “Play International”.
Më pas, të gjithë të pranishmit ngritën letrat e bardha lartë, për të përquar mesazhin e paqes në botë.
Fëmijët praktikuan sporte të ndryshme, derisa u ndihmuan edhe nga përfaqësuesit e KOK-ut dhe komunës, edukatorët dhe vullnetarët e shumtë, të cilët ndihmuan aktivitetin.