+383 38 222 223 / [email protected]

Kosova shënoi për herë të parë 9 prillin – Ditën Ndërkombëtare të WADA-s

Kosova për herë të parë u bë pjesë e shënimit të 9 prillit – Ditës Ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Anti Dopingut (WADA) me moton “Play Safe on Play True Day 2020”.

Komiteti Olimpik i Kosovës bashkë me dhjetëra zyrtarë të federatave dhe sportistë iu bashkuan kampanjës së organizuar nga WADA, duke dërguar mesazhet e tyre për lojë të pastër dhe kundër dopingut në të gjithë botën.

Në mesazhin e tij, presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, tha se Komiteti Olimpik i Kosovës është i përkushtuar që bashkë me sportistët në Kosovë të bëjnë lojë të pastër dhe të vërtetë.


Me mesazhe erdhën edhe Gëzim Murseli, koordinator për Kosovë në luftën kundër dopingut dhe zyrtar i kontrollit për doping, i licencuar nga WADA, presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, zyrtari për kontrolle të dopingut i licencuar nga Wada, Bernard Tahirbegolli, si dhe shumë sportistë.

Që nga viti i kaluar, me rekomandim të Organizatës Botërore të Anti-Dopingut (WADA), KOK ka themeluar Agjencinë për Antidoping në Kosovë (KosADA).

KosADA është trup i pavarur dhe nga ky vit do të marrë mostrat e urinës së sportistëve tanë dhe do t’i dërgojë në laboratorët e akredituar!