KOK-u ka mbledhur sot në një koktej rreth 40 gazetarë sportivë, me të cilët shënoi mbylljen e një viti tejet të suksesshëm, jo vetëm për KOK-un, por për gjithë sportin.
Takimi u realizua në kuadër të konferecës vjetore “Sporti dhe Media”.
Presidenti Ismet Krasniqi, që shoqërohej nga nënpresidenti Milaim Kelmendi, duke falënderuar gazetarët për mbështetjen dhe bashkëpunimin e frytshëm, paraqiti disa prej të arriturave të këtij viti, me theks të veçantë marrja e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, organizimi i të cilave tha se është sukses i përbashkët.

Zyret e reja, memorandumi “Balkan Cooperation 5”, Platforma Evropiane e Sportit 2024, marrëveshja e re e sponsorizimit me bankën BKT Kosova në vlerë 3 milionë euro për tri vjet dhe vizita e presidentit të EOC-ut, Spyros Capralos, janë disa prej të arriturave tjera të përmendura nga presidenti Krasniqi, të cilat përcilleshin me video.

Udhëheqësi i departamentit të mediave në KOK, Kushtrim Krasniqi prezantoi dizajnin e ri të uebfaqes ëëë.noc-kosovo.org, performancën e KOK-ut në rrjetet sociale gjatë vitit 2023 dhe rrugën drejt Lojërave Olimpike Paris 2024.

