+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

KOK promovoi fushatën “Luaj sigurt, luaj korrekt” në EYOF Shkupi 2025

Në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) 2025, që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, KOK-u ndërmori hapa domethënës për të promovuar një kulturë sigurie, respekti dhe integriteti në sport.

Çdo anëtar i ekipit olimpik të Kosovës pranoi një broshurë të posaçme, të dizajnuar enkas për  fushatën “Luaj sigurt, luaj korrekt”, e cila përmbante informacione për mbrojtjen dhe integritetin në sport. Materiali përmbante të drejtat dhe përgjegjësitë e sportistëve dhe trajnerëve, si dhe udhëzime se si të njihen dhe t’u përgjigjen sjelljeve të papërshtatshme.

Udhëzimet u dhanë nga zyrtarja e KOK-ut për mbrojtjen dhe intergritetin në sport, Marigona Mehmeti, e cila ofroi udhëzime dhe krijoi një hapësirë të sigurt dhe të hapur për sportistët dhe stafin, për të diskutuar sfidat me të cilat përballen sot në sport.

Përveç mbrojtjes, sportistët dhe trajnerët morën gjithashtu informacione të rëndësishme mbi parimet e sportit të pastër, duke përfshirë mënyrën e njohjes dhe raportimit të manipulimit të garave dhe shkeljeve të antidopingut. U ndanë këshilla praktike për t’u siguruar që të gjithë e kuptojnë se si duhet të veprojnë nëse janë dëshmitarë apo përjetojnë sjellje të papërshtatshme.

Moment i veçantë ishte edhe prezantimi i projektit “SAFE HARBOUR” të programit Erasmus+, i cili fokusohet në forcimin e strukturave të mbrojtjes në gjithë Evropën. Delegacioni i Kosovës u njoftua për progresin e bërë deri tani dhe për mënyrën se si projekti synon të krijojë ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë komunitetin sportiv evropian.

Duke udhëhequr këto iniciativa në EYOF 2025, KOK edhe një herë ka dëshmuar angazhimin e  fuqishëm për të edukuar, fuqizuar dhe mbrojtur sportistët dhe komunitetin më të gjerë sportiv. Ky veprim reflekton jo vetëm përkushtimin ndaj lojës së ndershme, por edhe krijimin e një mjedisi sportiv, ku çdo individ ndihet i sigurt, i respektuar dhe i mbështetur.