KOK organizon seminar për rolin e zyrtarit për integritet në sport në federatat sportive

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) do të organizojë seminar për rolin e zyrtarit për integritet në sport në federatat sportive në vendin tonë.

Seminari do të mbahet më 27 maj (e shtunë) në hotel “Sirius” në Prishtinë me fillim nga ora 10:00 deri në 17:00.

Organizimi i këtij seminari është pjesë e projektit për fushatën për Edukimin e Komunitetit Sportiv për Integritetin në Sport, projekt ky i fituar nga KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON).

Për ta zbatuar projektin, KOK ka formuar një grup punues, i cili do të punojë ngushtë me federatat sportive në vendin tonë, duke filluar nga organizimi i këtij seminari.

KOK synon që përmes kësaj nisme, të luftohen dukuritë negative në sport, si:

  • Lufta kundër dopingut;
  • Parandalimi i manipulimit të garave;
  • Parandalimi i ngacmimeve dhe abuzimeve në sport, etj
  • KOK i ka ftuar të gjitha federatat sportive në vendin tonë, që të delegojnë personat kompetent në seminar, që mendojnë se mund ta kryejnë këtë detyrë në organizatën e tyre sportive, pra të zyrtarit për integritet në sport.
  • KOK është i përkushtuar të promovojë integritetin, lojën e ndershme dhe sjelljen etike në botën e sportit. Për ta bërë këtë KOK, ka vendosur që ligjëruese në këtë seminar të jetë Nita Gjikolli, një folëse e jashtëzakonshme që zotëron ekspertizë të thellë në integritetin sportiv. Leksionet, punëtoritë dhe diskutimet e saj tërheqëse do të jenë përvoja transformuese, duke frymëzuar sportistët, trajnerët dhe administratorët për të përqafuar standardet më të larta etike.
  • Ekspertiza e saj mbulon një gamë të gjerë temash, duke përfshirë, por pa u kufizuar në:
  • Promovimi i lojës së ndershme dhe sportit
  • Parandalimi dhe adresimi i çështjeve të dopingut dhe mashtrimit
  • Kultivimi i kulturës së përfshirjes dhe respektit në sport
  • Edukimi i udhëheqjes së përgjegjshme dhe vendimmarrjes etike
  • Së bashku me Nita Gjikollin në një pjesë të ligjeratës do të na bashkëngjitet edhe Joanna Maranhao nga Sport&Right Alliance – Network Coordinator, njëherësh notare profesioniste dhe e mbijetuar e abuzimit.
  • Në kuadër të projektit të fituar nga KOK në KON do të organizohen edhe fushata të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe sportistët eminentë në vendin tonë.

Objektivat kryesore të projektit janë:

1. Prezantimi para gjithë komunitetit sportiv në Kosovë dhe grupet e tjera të interesit se sporti i pastër është mbi të gjitha.

2. Realizimi i fushatës në bashkëpunim me federatat sportive, si dhe me partnerët e tjerë vendorë e ndërkombëtarë, si dhe me grupe të tjera të interesit.

3. Implementimi i kodit etik nga federatat sportive dhe emërimi i zyrtarëve për integritet në sport në këto federata.

4. Monitorimi, vlerësimi dhe rishikimi i politikave dhe udhëzimeve.