Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit dhe Rinisë (MRS), ka mbajtur tryezën e diskutimit “Bashkë drejt një mjedisi sportiv të sigurt dhe gjithëpërfshirës”, në kuadër të konsultimit për draftin e parë të Strategjisë për Mbrojtjen dhe Mirëqenien në Sport e cila po zhvillohet në kuadër të projektit Safe Harbour i cili kordinohet nga Komiteti Olimpik Evropian dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Tryeza u hap nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, i cili theksoi rëndësinë e krijimit të mekanizmave të raportimit dhe trajtimit të rasteve, si dhe përkushtimin e KOK-ut për të mbështetur federatat sportive në këtë proces.
Në vazhdim, Rrita Mulaj, zyrtare për mbrojtje në KOK, prezantoi rolin, parimet dhe përgjegjësitë e zyrtarit për mbrojtje dhe mirëqenie në sport.
Përfaqësuesit e federatave sportive diskutuan mbi praktikat ekzistuese, sfidat dhe nevojat, duke dhënë komente dhe rekomandime për avancimin e draft-strategjisë.
Tryeza shënoi një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi sportiv të sigurt dhe gjithëpërfshirës për të gjithë.


