Këshilli Evropian i Investitorëve organizoi konferencën “Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage”, kushtuar përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Në mesin e panelistëve ishte sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, i cili foli për përvojat ndërkombëtare dhe praktikat më të mira në organizimin e ngjarjeve të mëdha shumësportëshe.
Panelist ishte edhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, Florian Miftari, njëherit dekan në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit në Prishtinë.
Dekani Miftari dha kontributin e tij në aspektin shkencor duke treguar për aklimatizimin që duhet pasur parasysh gjatë organizimit të Lojërave në temperatura të larta dhe shëndetin e sportistëve gjatë kohës së verës.
Në panelet e konferencës morën pjesë gjithashtu përfaqësues të kompanisë përgjegjëse për hartimin e Master Planit të Prishtina 2030, të Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Komunës së Prishtinës, të ambasadave dhe institucioneve të tjera partnere.
Panelin në të cilin u diskutua për sigurinë dhe përgatitjet operacionale për organizimin e suksesshëm të Prishtina 2030, e moderoi zyrtarja për projekte në KOK, Iliria Ibrahimi.
Konferenca shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe diskutimin e hapave të ardhshëm në rrugëtimin drejt Prishtina 2030.
Kjo konferencë u ndjek edhe nga drejtuesit e KOK-ut, në krye me presidentin Ismet Krasniqi, nënpresidentin, Milaim Kelmendi, presidentin e nderit, Besim Hasani dhe anëtaren e BE, Vjollca Krasniqi.




