+383 38 222 223 / [email protected]

KOK mirëpriti vajzat e Kombëtares së hendbollit U-18, pas suksesit historik

Drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë pritur vajzat e Kombëtares së Kosovës në hendboll për grupmoshën U-18, të cilat të dielën arritën sukses historik, duke u kualifikuar në Kampionatin Botëror U-18.


Hendbollistet që shoqëroheshin nga kryetari i FHK-së, Eugen Saraqini, njëherit nënpresident i KOK-ut, dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci, të dielën fituan garën “IHF Trophy Intercontinental”, pas katër fitoreve në po aq ndeshje.



Presidenti Krasniqi përgëzoi lojtaret për suksesin, duke thënë se triumfi i tyre bëri krenarë gjithë lëvizjen olimpike në Kosovë, derisa uroi që edhe në Botëror ta përfaqësojnë vendin tonë sa më denjësisht.



Kryetari Saraqini, derisa falënderoi presidentin Krasniqi për pritjen dhe mbështetjen, vlerësoi lartë suksesin e arritur, duke përmendur se edhe djemtë U-21 të hendbollit e kishin shijuar botërorin disa vite më parë, që nënkupton se sukseset e hendbollit nuk janë të rastësishme.


Edhe trajneri Mitat Ferati dhe lojtaret theksuan se puna e përbashkët ekipore bëri që të kthehen me triumph nga Tashkenti i Uzbekistanit, ku u mbajt gara e “IHF Trophy Intercontinental”.