+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

KOK bëhet partner i ri i Zyrës së BE-së për Komitetet Olimpike Evropiane

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) është bërë partner i Zyrës së Bashkimit Evropian për Komitetet Olimpike Evropiane (EOC EU Office).


Kontrata është nënshkruar nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), Spyros Capralos, gjatë seminarit të EOC-ut të mbajtur në Maltë.


EOC përfaqëson 50 Komitetet Olimpike Kombëtare të Evropës dhe punon për të promovuar vlerat olimpike, si dhe për të frymëzuar sportin dhe stilin e shëndetshëm të jetesës në mbarë kontinentin.

Përmes Zyrës së saj në BE, EOCa mbron interesat e lëvizjes olimpike sportive në nivel të Bashkimit Evropian dhe ka ndërtuar lidhje të forta me politikëbërësit evropianë.



Komiteti Olimpik i Kosovës është institucioni më i lartë sportiv në vend, i përkushtuar në avancimin, promovimin dhe mbrojtjen e lëvizjes olimpike, duke përhapur parimet dhe vlerat e olimpizmit në të gjithë vendin.

“Ky partneritet ndërtohet mbi një marrëdhënie tashmë të konsoliduar, e zhvilluar përmes pjesëmarrjes së KOK-ut në projektet e programit Erasmus+ si OCEAN (me fokus në veprimet për klimën) dhe SAFE HARBOUR (me fokus në mbrojtje dhe siguri). Ky bashkëpunim jo vetëm që mbështet Komitetin Olimpik të Kosovës në arritjen e objektivave të tij, por edhe i ofron qasje në ekspertizën dhe rrjetin e gjerë të Zyrës së BE-së të EOC-ut mbi çështjet që prekin lëvizjen e organizuar sportive në Evropë”, thuhet nw njoftimin e EOC-ut.


Përmes këtij partneriteti me Zyrën e BE-së të EOC-ut, Komiteti Olimpik i Kosovës do të përfitojë nga udhëzimet e një ekipi me përvojë në çështjet që lidhen me BE-në, me theks të veçantë në mundësitë e financimit, qeverisjen sportive dhe legjislacionin evropian që ndikon në sport.



Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi:

“Është kënaqësi e madhe që Komiteti Olimpik i Kosovës është bërë një nga partnerët e Zyrës së BE-së të Komiteteve Olimpike Evropiane. Ky është një hap i rëndësishëm që na afron më shumë me proceset evropiane, forcon zërin e sportit të Kosovës në nivel ndërkombëtar dhe na mundëson të përfitojmë nga përvoja dhe rrjetet që kjo zyrë ofron. Ky partneritet do të na ndihmojë të avancojmë më tej sportin në vendin tonë dhe të promovojmë vlerat olimpike te të rinjtë dhe shoqëria në tërësi.


Presidenti i EOC-ut, Spyros Capralos, tha:

“Jemi shumë të lumtur që mirëpresim Komitetin Olimpik të Kosovës si partner të Zyrës së BE-së të EOC-ut. Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve me Komitetet Olimpike Kombëtare Evropiane dhe në avancimin e Lëvizjes Olimpike. Përkushtimi i Kosovës për zhvillimin e sportit në nivel kombëtar, promovimin e vlerave olimpike dhe angazhimin në komunitetin sportiv evropian do të sjellë perspektiva të vlefshme në punën tonë të përbashkët”.


Drejtori i Zyrës së BE-së të EOC-ut, Folker Hellmund, shtoi:

“Jam i kënaqur që mirëpres Komitetin Olimpik të Kosovës si partner të Zyrës së BE-së të EOC-ut. Pjesëmarrja e tyre aktive në projektet e financuara nga Erasmus+ tashmë dëshmon një angazhim të fortë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe për përparimin e sportit. Ky partneritet ofron një mundësi të shkëlqyer për të thelluar përfshirjen e KOK-ut në çështjet që lidhen me sportin në nivel të Bashkimit Evropian.”