Ekipi i xhudos është kthyer me katër medalje evropiane nga Kampionati Evropian, i mbajtur në Montpellier të Francës.
Distria Krasniqi fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë -52 kilogramë, ndërsa me të bronztën u stolisën, Nora Gjakova (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg).
Loriana Kuka dhe Flaka Loxha e mbyllën Evropianin me nga një fitore të realizuar.
“Fiks katër medalje ne Evropian! Sa e madhe Kosova jonë”, ka shkruar trajneri Driton Kuka në Facebook, pas suksesit madhështor.
Me këtë arritje, ekipi i xhudos çoi në 23 numrin total të medaljeve të fituara në Kampionate Evropiane.
Triumfi në Montpellier solli edhe pikë olimpike për Paris 2024, ku për momentin të katër medalistët qëndrojnë brenda normës olimpike.