Në kuadër të Javës Olimpike 2026, Komiteti Olimpik i Kosovës përmes Akademisë Olimpike organizoi një varg aktivitetesh sportive, edukative dhe rekreative në 26 komuna të Kosovës, duke përfshirë rreth 7,000 pjesëmarrës.
Aktivitetet nisën më 1 qershor në Prishtinë me konferencën për media të KOK-ut dhe festimin e Ditës së Fëmijëve në sheshin e qytetit, ku u prezantuan sporte të ndryshme si gjimnastika, badmintoni, ragbi, kërlingu, karateja dhe padeli. Krahas asaj, studentët pikturuan dhe promovuan simbolet olimpike. Në të njëjtën ditë, festimet e Ditës Olimpike u zhvilluan edhe në Fushë Kosovë, Podujevë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë dhe Vushtrri.
Më 2 qershor, Akademia Olimpike zhvilloi aktivitete edukative në shkolla për promovimin e vlerave olimpike tek nxënësit, ndërsa festimet e Ditës Olimpike vazhduan në Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik. Dita u përmbyll me organizimin e një turneu në futboll.
During Olympic Week 2026, the Kosovo Olympic Committee, through the Olympic Academy, organized a series of sports, educational, and recreational activities in 26 municipalities across Kosovo, engaging around 7,000 participants.#olympicday #olympicweek pic.twitter.com/6SfSFor8o9
— NOC KOSOVO 🥇🥇🥇🥈🥉 (@NOCKOSOVO) June 11, 2026
Aktivitetet vazhduan më 3 qershor me shënimin e Ditës Botërore të Sportit dhe Mjedisit në Parkun e Qytetit në Prishtinë, ndërsa festimet e Ditës Olimpike u mbajtën në Prizren, Suharekë, Malishevë, Gjakovë dhe Rahovec.
Më 4 qershor, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë u organizua Vrapimi Olimpik me nxënësit e klasave të gjashta dhe të shtata, ndërsa aktivitetet e Ditës Olimpike u zhvilluan edhe në Ferizaj, Shtime, Lipjan, Kaçanik dhe Han të Elezit.
Më 5 qershor, në Prizren u organizua një aktivitet demonstrues i paragllajdingut nga Federata Aeronautike e Kosovës, ndërsa festimet e Ditës Olimpike vazhduan në Gjilan, Kamenicë, Viti dhe Skenderaj.
Java Olimpike u përmbyll më 6 qershor me aktivitete në Mitrovicë dhe në Liqenin Akumulues të Ibrit, ku studentët e Kosovës morën pjesë në hiking. Më pas, në Liqenin e Batllavës u zhvillua një aktivitet i përbashkët me Federatën e Lundrimit të Kosovës.
Përmes këtyre aktiviteteve të organizuara në mbarë vendin, Java Olimpike 2026 promovoi sportin, jetën aktive dhe vlerat olimpike të miqësisë, respektit dhe ekselencës, duke bashkuar komunitete nga të gjitha rajonet e Kosovës në frymën e lëvizjes olimpike.






